Vritet bashkë me gruan drejtuesi i kartelit të drogës
Drejtuesi i një karteli droge në Meksikë është vrarë teksa merrte ndihmë mjekësore në një spital. Sipas Associated Press, katër persona të armatosur hynë në një spital, në qytetin turistik të Cancun-it, dhe qëlluan për vdekje Alfonso Contreras Espinoza dhe gruan e tij.

Në fakt, Espinoza, i njohur si “El Poncho” ishte arrestuar Korrikun e vitit të kaluar për akuza të lidhura me armëmbajtjen pa leje. Ai ishte lejuar që të mjekohej në një spital privat nën vëzhgim për disa probleme me këmbët.

“El Poncho” dyshohej se ishte drejtuesi i operacioneve të drogës në Cancun të kartelit të Gjirit.

“Kjo mund të jetë një larje hesapesh midis bandave të drogës”, deklaroi policia pas sulmit.

Sipas mediave vendase, dyshohet se pas sulmit qëndron karteli i dhunshëm “Jalisco” që nga viti i kaluar është duke vendosur kontrollin në qytet, duke shkatërruar të gjitha bandat e tjera.

Ky incident është i treti në më pak dy javë. Të enjten e kaluar, disa eksplozivë, të cilët nuk shpërthyen, u gjetën në një kroçerë turistike. Ndërsa, më 21 Shkurt ndodhi një shpërthim në një kroçerë tjetër, nga i cili mbetën të plagosur 19 meksikane dhe të paktën pesë amerikanë.

Cancun-i njihet si një destinacion turistik, por kohët e fundit është përfshirë nga një valë dhune. Në Janar të 2017-s, disa persona të armatosur sulmuan zyrat e Prokurorisë në Cancun dhe vranë katër persona. Një ditë më herët, kishte patur sulme me armë në një festival muzikor në Playa del Carmen, nga ku mbetën të vdekur pesë persona, mes të cilëve tre të huaj. /albeu.com/
Shtuar më 05/03/2018, ora 22:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori