“Ore di gjë do na lënë sivjet”, Artan Hoxha zbulon pyetjen që i bëjnë gjithmonë kultivuesit e kanabisit

Gazetari i njohur Artan Hoxha ditën e sotme është shprehur se çdo vit zgjedhor, rrit mundësinë e personave që kultivojnë kanabiz të zgjerojnë biznesin e tyre.

Kjo për faktin se policia është e angazhuar më tepër në ngjarje të tjera. Ai shpreh se pikërisht kultivuesit e kanabisit këtë vit kanë një shqetësim, që do t’i lejojnë apo jo ta kultivojnë përsëri.

“Në vit zgjedhjesh ka një tentativë për të shtuar kultivimin e kanabisit. Policia është e angazhuar në të tjera ngjarje. S’ka kohë të kontrollojë terrenin.

Tani po shikojmë që pothuajse cdo ditë ke raste të kultivuesve që kapen në Mat, Mamurras, Kruje, Elbasan, Librazhd etj.

Njerëzit që e kultivojnë këtë bimë e kanë kthyer tashmë në biznes. Ai që është marrë me kanabis nuk kultivon dot domate, marzhi i fitimit është i ndryshëm.

Mendojnë se do bëhen të pasur, por krijon probleme të mëdha, që shkojnë deri te vrasjet.

Më pyesin: Ore di gjë do na lënë sivjet? Kjo ishte pyetja kryesore që më bënin këta në jug të vendit. Pra që të mbjellësh sasi të mëdha duhet të kesh garanci. Ka pozicione në territor që mund të tregohet një lloj tolerance, ka individë, por ka dhe zona ku s’ka punë dhe të ardhura. Kjo lejohet deri sa nuk bën zhurmë”, u shpreh gazetari Hoxha.

 

 


Shtuar 28.05.2021 13:58