Vrasja e gazetarëve, “Charlie Hebdo” rendit Francën në vend të dytë
Sulmi i janarit në redaksinë e revistës satirike franceze "Charlie Hebdo" e ngjit Francën në vendin e dytë të listës së përvitshme të vendeve më të rrezikshme për reporterët. 9 gazetarë u vranë atje, brenda ambienteve ku punonin.

Vetëm Siria ka më shumë gazetarë të vrarë gjatë 2015-ës, 13 në total.

Sipas Komitetit të mbrojtjes së Gazetarëve CPJ, numri i reporterëve që kanë humbur jetën këtë vit në krye të detyrës është 69.

28 prej tyre, apo 40% e shifrës së mësipërme, janë vrarë nga ekstremistët e ISIS. Bilanci i vdekjeve në përgjithësi, duke llogaritur këtu jetët e humbura nga 1 janari deri në 23 dhjetor, është më i lartë sesa ai i 61 gazetarëve të vrarë në 2014-ën. Dhe mund të rritet akoma më shumë, pasi CPJ po heton vdekjet e të paktën 26 reporterëve të tjerë, për të përcaktuar saktë nëse kanë lidhje me punën e tyre.

Për median, Siria vazhdon të mbetet prej katër vjetësh vendi më vdekjeprurës, megjithëse 13 vdekjet e regjistruara këtë vit përbëjnë një rënie krahasuar me vitin që shkoi.

Megjithatë, kjo pjesërisht reflekton rrudhjen e numrit të gazetarëve që punojnë në Siri tani teksa ISIS vazhdon të zgjerojë territoret e pushtuara, ndërsa mund të shërbejë nga ana tjetër edhe si tregues i vështirësive në rritje për monitorimin e dhunës në vend. /albeu.com/
Shtuar më 29/12/2015, ora 14:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori