Akuzohen për të paktën 51 vjedhje, çmontohet banda në Greqi: Tre shqiptarë në pranga, dy prej tyre të mitur

Autoritetet greke kanë arritur të “shkatërrojnë” një bandë “skifterësh” që operonte në zonën e Atikës.

Pjesëtarët e grupit kryenin vjedhje në automjet të cilat ishin të parkuara dhe merrnin nga aty sendet më me vlerë, por jo vetëm kaq. Shënjestër e tyre ishin edhe shtëpitë, zyrat apo dyqanet.

Pjesë e bandës ishin edhe tre shtetas shqiptarë, të tre në moshë të re, përkatësisht 16, 17 dhe 18 vjeç.

Nga hetimet paraprake deri më tani janë zbardhur 51 raste të vjedhjeve, në periudhën nga 7 prill 2021 deri më 18 nëntor 2022.

Akuzat ndaj shqiptarëve janë rënduar pasi në momentin e arrestimit u janë gjetur në posedim edhe lëndë narkotike, saktësisht 40.48 gramë kanabis.

Autoritetet greke kanë identifikuar edhe tetë anëtarë të tjerë të bandës, dy prej të cilëve janë arrestuar.

Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Penale të Athinës, ndërsa hetimet po vijojnë për kapjen e pjesëtarëve të mbetur të organizatës kriminale.