Berisha: Krizën energjitike e solli vjedhja e plaçkitja e qeverisë dhe jo moti e lufta

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kriza energjetike në Shqipëri nuk lidhet me motin dhe luftën në Ukrainë.

Berisha shtoi se qeveria zbrazi digat në kundërshtim me çdo ligj ekzistues dhe shiti energjinë.

Ish-shefi i qeverisë shtoi se Shqipëria është vendi që prodhon 1 milion ton naftë dhe qytetarët e blejnë këtë produkt më shumë se kudo.

Komentet Berisha i bëri në një takim me ekspertët në selinë e Partisë Demokratike.

“Tani nën hijen e luftës ka marrë përmasa dhe më të mëdha. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka katërfishuar çmimin e  energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin edhe për konsumatorët. Është vendi i vetëm që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 milion ton dhe që ka çmimet më të larta në Evropë.

Por, sigurisht Shqipëria nuk është një ishull. Megjithëkëtë në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër ndikimin mbi energjitikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën. Energjia e saj në masën 98% është tërësisht ujore, por prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër.

Prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti në rekord historik, rreth 8.9 miliard kë. Duke pasur parasysh këto faktorë dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervar ujore të kaskadës konstaton lehtësisht se shkaku themelor i krizës nuk është moti, lufta, por është plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje.

Shqipëria nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energjinë në emër të liberalizimit të tregut me 42 euro, në të njëjtën ditë kur në bursë është 130 euro.

Në themel të kësaj krize është qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie”, deklaroi ish-kryeministri./albeu.com/