Vladimir Putin kundër Amerikës
Albeu.com
Vladimir Putin, ka shpallur një moratorium mbi Marrëveshjen e Kontrollit të Armatimeve të vitit 1990, si përgjigje ndaj planeve amerikane për të ngritur një mburojë raketash në Evropë. Ai kundërshton sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat dhe paralajmëron daljen nga marrëveshja për armatimet.Ndërkohë, Kondoleca Rajs është përpjekur edhe një herë të shuajë frikën ruse, duke e quajtur absurde. Përplasja mbi planet e Shteteve të Bashkuara për të ngritur një sistem mbrojtës nga raketat në Evropë, dhe Moska po i reziston çdo tentative nga ana e amerikanëve, ndërkohë Sekretares amerikane të Shtetit, duket se po i humbet durimi me "sovjetikët". Retorika është nxehur në maksimum të enjten, ndërsa Putin, në fjalimin e tij të përvitshëm para parlamentit, tha se do të ngrinte angazhimet e Rusisë, në bazë të marrëveshjes së vitit 1990 për Forcat Konvencionale në Evropë, kjo si përgjigje ndaj planeve për sistemin mbrojtës amerikan. Ai tha se firmëtarët e marrëveshjes, ishin të parët që nuk po e respektonin atë dhe kritikoi planet amerikane për të vendosur elementë të sistemit mbrojtës në Evropën Lindore, çka, sipas tij, krijon një rrezik real dhe surpriza ndoshta të papëlqyeshme. SHBA pretendon se mburoja nga raketat synon të mbrojë vetëm Amerikën dhe aleatët e saj evropianë nga ndonjë sulm i mundshëm me raketa balistike nga ndonjë shtet "armik", si për shembull, Irani. "Vendet e NATO-s po ndërtojnë baza ushtarake në kufijtë tanë e për më tepër, ata planifikojnë gjithashtu të vendosin elementë të një sistemi mbrojtës kundra raketave në Poloni dhe Republikën Çeke", tha Putin. "Unë e konsideroj të domosdoshme të deklaroj një moratorium në lidhje me implementimin nga ana e Rusisë, të kësaj marrëveshjeje derisa të gjitha vendet ta kenë ratifikuar dhe të kenë filluar me implementimin strikt të saj... Unë propozoj ta diskutojmë këtë problem në Këshillin NATO-Rusi dhe nëse nuk do të ketë atje asnjë negocim, do të heqim dorë nga marrëveshja". Putin e bëri lajmërimin, ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs dhe homologët e saj nga vendet anëtare të NATO-s, ishin mbledhur në një samit në Oslo të Norvegjisë, ku merr pjesë edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Planet për sistemin mbrojtës nga raketat do të dominojnë në bisedimet dyditore. Duke folur para fjalimit të Presidentit Putin, Rajs u përpoq të shuante shqetësimet e Rusisë, duke thënë se sistemi nuk mund të përbënte kurrsesi kërcënim për vendin. Ajo akuzoi Rusinë madje se kish mbetur e ngërthyer nga një mentalitet i vjetruar, i Luftës së Ftohtë, ndërkohë që gabimisht, iu referua rusëve si "sovjetikë". "Ideja që në ndonjë mënyrë 10 interceptues dhe disa radarë në Evropën Lindore do të kërcënojnë interesat sovjetike, është qesharake dhe këtë e di gjithkush", tha ajo para gazetarëve në takimin e Oslos. "Rusët kanë mijëra raketa. Ideja se mund të ndalosh një kontingjent të tërë rus me disa interceptorë, nuk ka kuptim", tha ajo. Rajs nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të donin të vazhdonin bisedimet me zyrtarët rusë për të çmitizuar mburojën raketore, një projekt për të cilin nuk kanë qenë dakord edhe disa aleatë evropianë. "Ne do të ishim shumë të kënaqur ta vazhdonim këtë dialog, por duhet ta vazhdojmë atë mbi baza realiste të asaj çka ne propozojmë", tha ajo. Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, u përpoq pak ditë më parë të fitonte mbështetje për këtë plan, gjatë një vizite në Rusi, Poloni dhe Gjermani, ku tentoi ta shndërronte Moskën në një partner në projekt.



Pakti

Marrëveshja e vitit 1990, mes NATO-s dhe vendeve të Paktit të Varshavës, vendoste kufij të rinj për përdorimin e armëve konvencionale në Evropë për të dyja palët. Më vonë, ajo u rishikua në 1999-ën. Gjithsesi vendet anëtare të NATO-s patën refuzuar ta ratifikojnë versionin e përshtatur të paktit derisa Rusia tërhoqi të gjitha trupat e saj nga Gjeorgjia dhe Moldavia.
G. Shqip
Shtuar më 27/04/2007, ora 13:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori