“Putin mund t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës”

Zyrtarët perëndimorë dhe amerikanë besojnë se Vladimir Putin mund t’i shpallë shumë shpejt luftë Ukrainës edhe zyrtarisht, një vendim që do t’i hapte rrugë mobilizimit të plotë të rezervistëve të ushtrisë ruse, sipas CNN.

Vendimi mund të merret më 9 maj, në ditën që Rusia feston“Ditën e Fitores”, ose mposhtjen e nazistëve në vitin 1945, që i dha fund Luftës II Botërore. Zyrtarët perëndimore besojnë prej kohësh tashmë se Putin do të përdorë simbolikën e asaj dite si propagandë, për të shpalosur sukseset ushtarake në Ukrainë, përshkallëzimin e konfliktit, ose të dyja bashkë.

Deri më sot, Putin e ka quajtur pushtimin e Ukrainës një “operacion special ushtarak”, duke shmangur termat “pushtim” apo “luftë”. Me shpalljen e luftës zyrtarisht, Putin do të mund të mobilizojë forcat rezerviste, që sipas zyrtarëve perëndimore janë të nevojshme për shkak të humbjeve që ka pësuar Rusia në Ukrainë.

Kievi thotë se ka vrarë mbi 23 mijë ushtarë rusë, ndërsa agjencitë perëndimore vlerësojnë se kjo shifër është të paktën 10 mijë. Rusia do të përpiqet të aneksojë gjithashtu Luhanskun dhe Donetskun në mes të muajit maj, tha të hënën ambasadori i SHBA në OSBE, Michael Carpenter.

Ka gjithashtu të dhëna se Rusia po planifikon të aneksojë qytetin juglindor të Khersonit.

“Sipas raporteve më të fundit, ne besojmë se Rusia do të përpiqet të aneksojë Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut në Rusi”, tha Michael Carpenter, ambasadori i SHBA në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

“Raportet thonë se Rusia planifikon të projektojë referendume pas anëtarësimit diku nga mesi i majit”, shtoi ai.

Pseudo referendumet janë diçka për të cilën Presidenti Zelensky ka paralajmëruar në të kaluarën. Sakaq, në fillim të këtij viti, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste./abcnews.al