Vazhdojnë tragjeditë në ujërat e Mesdheut
Janë gjendur trupat e pajetë të 21 grave e një burri në një pellg uji të përzjerë me karburant, në një anije emigrantësh të nisur nga brigjet libiane drejt Europës.

Sipas organizatës bamirëse "Mjekët pa Kufi", klandestinët kishin qëndruar aty për orë të tëra. Mbi 200 persona të tjerë i mbijetuan rrugëtimit dhe pas gjetjes së mjetit lundrues u transferuan në një anije të grupit ndërkombëtar. 50 prej tyre janë fëmijë.

“Nuk e kemi ende krejtësisht të qartë çfarë ndodhi, por një gjë është e sigurtë: ata patën një vdekje të tmerrshme”, tha për “Reuters” një anëtar i organizatës, Jens Pagotto.

Sipas tij, duket se avujt e dalë nga bashkimi i ujit me karburantin i kanë marrë jetën emigrantëve.

Shumica e personave në bord vinin nga vende të Afrikës perëndimore. Të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie janë në mesin e 2.000 emigrantëve të shpëtuar nga uji gjatë disa operacioneve të ndryshme të mërkurën, ku u përfshinë roje bregdetare italiane e spanjolle, si dhe disa organizata humanitare.

Klandestinët janë dërguar më pas në Siçili. Deklarohet se me mijëra vetë kanë humbur jetën ose janë zhdukur në ujërat e Mesdheut këtë vit./albeu.com/

Shtuar më 21/07/2016, ora 15:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori