Vazhdojnë reagimet pas fitores së Hamasit në Palestinë
Albeu.com
Fituesi i zgjedhjeve palestineze - grupi islamik Hamas, është vënë nën presion për të hequr dorë nga dhuna kundër Izraelit.Disa orë pasi Hamasi e shokoi botën me një fitore të pastër, fuqitë më të mëdha që janë të përfshira në përpjekjet për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, i bënë thirrje asaj që të heqë dorë nga dhuna. Disa politikanë amerikanë e shprehën hapur tmerrin që provuan nga rezultati i zgjedhjeve palestineze.

Një senator republikan e quajti një thirrje 'de facto' për luftë të popullit palestinez ndaj Izraelit. Por, Shtëpia e Bardhë u tregua më gjakftohtë. Presidenti Bush e pranoi se një pjesë e mesazhit të lëshuar nga populli palestinez ishte se ata donin një qeveri më të ndershme. Megjithatë, duket se ka pak shanse që amerikanët të kenë të bëjnë me Hamasin në të ardhmen. Pasi foli me anëtarët e vendeve të kuartetit, Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice, u telefonoi zyrtarëve izraelitë për t'u thënë se komuniteti ndërkombëtar kërkonte prej qeverisë së re palestineze që të njihte Izraelin. Ajo tha se nuk do të kishte asnjë ndihmë direkte për Hamasin, të cilit iu referua si një organizatë terroriste. Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, tha se do të fillonte menjëherë konsultimet me qeverinë e re. Partia e tij, Lëvizja Fatah e themeluar nga Yasser Arafat, e ka refuzuar një ftesë të Hamasit për të marrë pjesë në qeveri. Por zoti Abbas ritheksoi vendosmërinë e tij për të punuar për paqen. Hamasi që ka qënë përgjegjës për një numër sulmesh vetëvrasëse ndaj Izraelit , dha shenja se do të vazhdojnë armëpushimin jozyrtar. Nga ana e tij kryeministri izraelit Ehud Olmert, ka përjashtuar çdo kontakt me një administratë palestineze, e cila ka në përbërje Hamasin. Udhëheqësi i opozitës Binyamin Netanyahu, tha se një shtet satelit i Iranit me pamje talebane ishte duke u krijuar në pragun derës së Jeruzalemit. bbc
Shtuar më 27/01/2006, ora 11:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori