Vatikani bllokon faqen online që akuzonte Papën për “7 herezi”
Sekretaria e Vatikanit bllokoi gjatë ditës së sotme nga kompjuterat e Selisë së Shenjtë ueb-faqen ku ishte publikuar letra akuzuese ndaj Atit të Shenjtë, duke informuar se “hyrja në këtë faqe interneti është bllokuar në përputhje me politikat e sigurisë institucionale”, raportojnë mediat italiane.

Bëhet fjalë për një letër prej 25 faqesh e firmosur nga 62 priftërinj e studiozë katolikë, e cila i është dërguar Papa Franceskut më datë 11 gusht duke e akuzuar për “7 herezi” mbi publikimin e dokumentit të tij apostolik “Amoris Laetitia” (Gëzimi i Dashurisë) pas Kongresit mbi sfidat e familjes, mbajtur së fundmi në Vatikan.

Firmëtarët e kësaj letre informuan për mediat të dielën se pas mospërgjigjes nga Ati i Shenjtë, vendosën ta bëjnë publike letrën e tyre në sitin online «Correctiofilialis.org».

Në letrën me titullin “Correctio filialis de haeresibus propagatis” (Korrigjime ndihmëse për shkak të përhapjes së herezive) tradicionalistët e krishterë akuzojnë Papa Franceskun se ka mbështetur 7 pozicione heretike në lidhje me martesën, jetën morale e sakrimentet e familjes duke shkaktuar përhapjen e pikëpamjeve heretike në Kishën Katolike.

Konservatorët e Kishës mendojnë se Papa Francesku në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka lejuar që të besohet se bindja ndaj ligjit të Zotit mund të ishte dhe e pamundur ose e padëshërueshme, dhe se Kisha duhet ndonjëherë të pranojë dhe kurorëshkeljen mes personave praktikantë të besimit katolik.

Mes firmëtarëve të letrës, janë dhe ish Presidenti i Bankës së Vatikanit Ettore Gotti Tedeschi, dhe Kreu Superior i Vëllazërisë PIO X Bernard Fellay, shkruan Ora News.

Asnjë Kardinal nuk ka firmosur këtë letër dhe pas pulbikimit të dokumentit të Papa Franceskut mbi Familjen, disa nga ata shprehën publiksht dyshimet e tyre. /albeu.com/
Shtuar më 25/09/2017, ora 19:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori