Ushtria izraelite vret katër palestinezë në Gaza
Ushtria e Izraelit i ka vrarë dy anëtarë të Hamasit përmes sulmeve ajrore në Gaza dhe dy protestues palestinezë gjatë përleshjeve me forcat izraelite pranë kufirit.

Zyrtarët ushtarakë njoftuan se këto sulme janë kundërpërgjigje ndaj të shtënave në pjesën jugore të Gazas, nga të cilat u plagosën dy ushtarë izraelitë.

Hamasi, grup islamik që e kontrollon enklavën palestineze, njoftoi se dy anëtarë të tij janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur kur Izraeli e bombardoi njërën nga pikat e tyre në pjesën qendrore të Gazas.

Më vonë, zyrtarët shëndetësorë të Gazas thanë se dy palestinezë që po protestonin pranë kufirit u qëlluan nga trupat izraelite dhe vdiqën nga plagët e marra.

Ushtria izraelite njoftoi se rreth 5200 palestinezë ishin mbledhur në kufi. Protestuesit po kërkojnë heqjen e bllokadës nga Izraeli dhe Egjipti dhe kthimin në vendet prej të cilave janë larguar më 1948, kur ishte themeluar shteti i Izraelit.

Më shumë se 200 palestinezë janë vrarë nga trupat izraelite që nga fillimi i këtyre protestave në mars të vitit të kaluar. Në anën tjetër, në këto protesta deri tash është vrarë vetëm një ushtar izraelit.
Shtuar më 04/05/2019, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori