Ushtarët holandezë përgjegjës për masakrën e Srebrenicës
Gjykata Supreme e Holandës ka deklaruar se ky shtet është pjesërisht përgjegjës për vdekjen e 350 burrave myslimanë, të cilët ishin vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Gjykata më e lartë në Holandë deklaroi se paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara i kishin larguar burrat boshnjakë nga baza e tyre ushtarake afër Srebrenicës më 13 korrik të vitit 1995, pavarësisht se ishin në dijeni që ata ishin në rrezik serioz për t’u keqtrajtuar dhe për t’u vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.

Ky vendim ishte veprimi më i fundit në një betejë të gjatë ligjore, të nisur nga të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës, të cilët po kërkojnë përgjegjësi nga qeveria holandeze për vdekjen e anëtarëve të familjeve të tyre në masakrën më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Burrat e vrarë ishin në mesin e pesë mijë banorëve të tmerruar myslimanë, të cilët ishin strehuar në bazën e paqeruajtësve holandezë në kohën kur rajoni ishte rrethuar nga forcat serbe, të komanduara nga gjenerali famëkeq, Ratko Mladiq.

Ai është dënuar për gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Krime të Luftës në vitin 2017 për organizim të masakrës në të cilën u vranë rreth tetë mijë burra dhe djem myslimanë, shkruan “Daily Mail
Shtuar më 21/07/2019, ora 15:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori