Universiteti Leeds Metropolitan jep titullin Doktor Nderi per dijetarin musliman
Albeu.com
Njëri prej institucioneve arsimore më të famshme të Britanisë së Madhe, Universiteti Leeds Metropolitan, i ka dhënë dijetarit të njohur islam të këtij shekulli Fethullah Gylen titullin Doktor Nderi për kontributin e tij në paqen dhe dialogun ndërkulturor.Universiteti Leeds Metropolitan i hapur në vitin 1824, ndodhet në qytetin Leeds dhe i jep mësim 30.000 studentëve. Ky universitet i akorduar Fethullah Gylenit, për kontributin e tij në paqen dhe dialogun ndërkulturor, titullin Doktor Nderi. Titulli është dorëzuar nga rektori i Universitetit Prof. Susan Price, çmim i cili në emër të Gylenit është marrë në dorëzim nga drejtori i Fondacionit për Dialog në Angli z. Ozcan Keles, i cili ndër të tjera ka thënë:

"Fethullah Gylen e konsideron këtë çmim si njohje e punës dhe përpjekjeve të asaj që është e njohur ndër qarqet akademike, si lëvizja Gylen, por që vetë ai preferon ta thërrasë një lëvizje e vullnetarëve."

Ai ka deklaruar gjithashtu se nderimi ndaj Fethullah Gylenit nderon të gjithë ata që janë frymëzuar nga mësimet dhe shembulli i tij, duke e lidhur kështu universitetin me miliona njerëz në mbarë botën. "Qëllimi i punës gjatë gjithë jetës së Fethullah Gylenit dhe lëvizjes që ai frymëzon, është që të kontribuojë drejt zhvillimit të një shoqërie më humane, e cila është e angazhuar për mirëqenien e të tjerëve," ka thënë ndër të tjera ai.

Edhe dekani Prof. Elspeth Jones, mbajti gjithashtu një fjalim mbi kontributin e Fethullah Gylenit në fushat e dialogut dhe arsimit, e cila ndër të tjera ka thënë:

"Lëvizja qytetare Gylen, ka si qëllim të saj primar, të kontribuojë drejt zhvillimit të një shoqërie plotësisht humane, paqe të qëndrueshme dhe mirëkuptimi më të madh. Fethullah Gylen pohon se ne fillimisht jemi njerëz, e më pas myslimanë apo të ndonjë feje ose kulture tjetër. Ai thekson rëndësinë në shërbim të komunitetit në të cilën jetojmë, dhe personalisht është kundër çdo forme të aktivitetit terrorist apo dhune", ka thënë Prof. Elspeth Jones.

Gylen është i njohur për promovimin e mirëkuptimit dhe dialogut mes kulturave në mbarë botën. Një nga dijetarët më të shquar, Fethullah Gylen, doli në krye të listës së 20 intelektualëve më me ndikim në botë, botuar nga revista Prospect në vitin 2008. Ai ka shkruar rreth 50 libra në gjuhën turke, disa prej tyre të përkthyera edhe në shumë gjuhë të tjera.
Shtuar më 22/07/2010, ora 13:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori