Universitetet qe te bejne udheheqes
Albeu.com
ForbesSHBA-ja mbetet vendi më i shtrenjtë për t'u arsimuar. Jo vetëm kaq. Duket se edhe universitetet e stilit amerikan nëpër botë janë ata që kryesojnë listën e çmimeve marramendëse.
Me krizën ekonomike që ka pushtuar të gjithë botën, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të studiosh në universitetet më të mira. Kur bëhet fjalë për formimin shkollor, çdo shpenzim ia vlen pasi është investim për të ardhmen, por duket se universitetet më të shtrenjta të botës, që në të njëjtën kohë renditen edhe si më të mirat, tashmë janë kthyer në luks për një kategori të vogël njerëzish, të cilët mund të arrijnë të paguajnë aq shumë.

Renditja e universiteteve më të shtrenjta është bërë duke llogaritur vetëm tarifën mësimore, pra nëse shton aty akomodimin, ushqimin, transportin, librat e shumë e shumë shpenzime të tjera, tarifa sigurisht që dyfishohet. Shumë prej universiteteve ofrojnë ndihmë financiare për studentët. Gjithsesi çmimet e studimeve po rriten, ndërkohë që ekonomia po pëson gjithnjë e më shumë rënie. Në vend të parë të listës qëndron universiteti "George Washington" i ndjekur nga "Sarah Lawrence". Vetëm për sa i përket tarifës vjetore mësimore, universiteti "George Washington" mbetet më i shtrenjti.

Sidoqoftë, universiteti është një ndër shkollat më bujare të vendit për sa i përket asistencës financiare. Ndihma financiare që mund të marrë një nxënës është deri në 22 mijë dollarë. Ndërkohë, vetëm në një vit universiteti "Sarah Lawrence" kaloi nga vendi i pestë në listë në të dytin. Kjo për shkak të një rritjeje prej 5.9 për qind të tarifave. Duke përfshirë planin për vakte të detyrueshme të studentëve, kostoja totale shkon në 53,150 dollarë dhe kjo është vetëm tarifa mësimore.

Për sa i përket tarifës mësimore dhe tatimeve, "Kenyon" renditet ndër shkollat më të shtrenjta në SHBA. Por, ndërkohë që shuma totale me gjithë shërbimet e përfshira arrin në rreth 46 mijë dollarë, shkolla pretendon se rreth 70 për qind e studentëve marrin një ndihmë financiare, që është rreth 24 për qind e shumës. Në faqen e internetit të universitetit "Vassar" thuhet: "S'është nevoja të jeni të pasur për të ndjekur universitetin "Vassar". Por, në fakt, po të marrësh parasysh tarifën e shkollës, duket pak e vështirë. Pa përfshirë akomodimin, tarifa vjetore është 40,210 dollarë, ndërkohë që 55 për qind e studentëve marrin ndihmë financiare. "Bucnkell" është në vendin e pestë të listës së universiteteve më të shtrenjta. Bashkë me akomodimin e studentëve në universitet tarifa arrin në 48, 380 dollarë. Ndërsa vetëm tarifa vjetore arrin në 39, 652 dollarë. Sipas universitetit, 62 për qind e studentëve marrin një formë të ndihmës financiare.

Në listë ndodhet edhe universiteti elitar i cilësuar si një ndër më të mirët në botë. Për shkak të emrit të tij, universiteti "Harvard" tërheq të rinjtë më të talentuar dhe të veçantë nga e gjithë bota. Ai përveç se është në krye të universiteteve më të mira të botës, është dhe ndër më të shtrenjtët. Në listë është llogaritur vetëm tarifa e studimit, ndërsa në total bashkë me strehimin arrin deri në 50 mijë dollarë. "Harvard" pasohet nga një tjetër universitet që ka thuajse të njëjtën famë e emër, ai i "Yale". Ashtu si "Harvard" edhe "Yale" është një prej universiteteve më të mira në botë e gjithashtu dhe ndër më të shtrenjtët. Ai njihet si një institucion arsimor shumë prestigjioz dhe aty janë arsimuar shumë prej presidentëve amerikanë dhe një sërë figurash publike shtetërore.

Me një tarifë rreth 33 mijë dollarë në vit, universiteti "Franklin" meriton të jetë në listën e shkollave më të shtrenjta në botë. Kostoja e jetesës i shton edhe 10 mijë dollarë të tjera tarifës vjetore. Pavarësisht se është në Zvicër, në universitet studiojnë shumë studentë amerikanë. Më pas vjen Kolegji Imperial i Londrës, i cili njihet si një prej universiteteve më të shtrenjtë në botë, sidomos për studentët ndërkombëtarë. Kjo për arsye se tarifa vjetore mbulon vetëm mësimin në universitet, ndërkohë që jetesa në kryeqytetin anglez arrin deri në 12 mijë dollarë në vit. Universiteti i Singaporit nuk arriti dot t'i shpëtonte renditjes në 20 universitetet më të mira në botë dhe të studiosh aty nuk është dhe aq lirë. Por, një aspekt pozitiv është se pavarësisht tarifës së lartë të shkollës, kostoja e jetesës në Singapor nuk është aq e lartë sa në vendet e tjera të listës dhe ky është një lehtësim shumë i madh për studentët ndërkombëtarë.

Me sa duket, të studiosh në universitetet më të mira duhet të jesh patjetër milioner dhe këtu qëndron ironia. Megjithatë, për studentët që nuk kanë të ardhura shumë të mira ekonomike dhe që kanë probleme serioze në pagesën e tarifave mësimore të universiteteve private, sidomos për ata që nuk bëjnë pjesë në grupin elitar të studentëve, ka gjithmonë vend për ta në universitetet më të mira publike. Këto universitete kanë arritur të zhvillojnë një plan ndihme sociale-ekonomike mjaft të mirë dhe u shërbejnë miliona studentëve çdo vit. Në fund të fundit, jo të gjithë gjenitë kanë dalë nga universitetet më të shtrenjta dhe më të famshme. (express)
Shtuar më 04/05/2010, ora 14:43
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori