Propozohet ndërtimi i trenit të shpejtë, përfshihet edhe Shqipëria

Europa duhet të përmirësojë më tej logjistikën, sidomos nëpërmjet ndërtimit të rrjeteve moderne hekurudhore me shpejtësi të lartë, të cilët do të realizojnë një komunikimin të shpejtë dhe me më pak kosto në mjedis.

Forumi Ekonomik i Vjenës i rekomandoi Komisionit Europian të financojnë ndërtimin e linjave hekurudhore të shpejta, njëra prej të cilave propozohet të kalojë edhe në Shqipëri.
Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çeki, Austri, Kroaci, Bosnjë, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro.

Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Europës me vende e pazhvilluara të kontinentit të
tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe.

Propozimi synon ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë 250-300 kilometër në orë me katër linja kryesore që lidhin të gjitha kryeqytetet e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor (potencial) kandidat për në BE. Në pjesën shqiptare (shih hartën bashkëngjitur), hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Qarkun e Shkodrës nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë dhe përmes Rrugës së Kombit të përshkojë Kosovën dhe më tej të zgjatet deri në Bullgari.

Mbivendosja e hekurudhës është të propozuar të ndjekë Rrjetin ekzistues Trans-Europian të Transportit (TEN-T), por për shkak të dallimeve të mëdha teknike në sistemet nacionale hekurudhore (p.sh. matës të ndryshëm, elektrifikim hekurudhor, sisteme të sigurisë), duhet theksuar se rrjeti i ri duhet të jetë një infrastrukturë shtesë, me standardet e veta teknike.

Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18,249 kilometër e gjatë. Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 kilometra e gjatë me kosto 49 miliardë eurosh. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro./Monitor


Shtuar 29.07.2020 08:30