CNN: Pavarësisht se kush fiton në 2024-ën, disa vende evropiane e shohin SHBA-në si një aleate jo të besueshme

Nga Luke McGee “CNN

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur Joe Biden konfirmoi javën e kaluar se do të kandidojë për një mandat tjetër, aleatët evropianë të Amerikës e dinin saktësisht se çfarë do të thoshte kjo për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike. Nuk është një sekret, që kur u dha lami se Biden fitoi zgjedhjet vitit 2020, udhëheqësit anembanë Atlantikut u lehtësuan që një udhëheqës demokratik më tradicional do të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Por nga ana tjetër, ata e dinin se Biden nuk do të ishte në gjendje të zhbënte të gjithë dëmin e shkaktuar në 4 vitet e mëparshme nga Donald Trump. Ky i fundit, ishte një udhëheqës kaotik që kritikoi vazhdimisht aleatët evropianë të Amerikës. Ai i kërcënoi ata me luftëra tregtare për gjithçka, nga djathi tek avionët.

Nga ana tjetër, vuri në pikëpyetje parimet e aleancës së NATO-s dhe e sulmoi Bashkimin Evropian, duke deklaruar në një rast se nëse do të drejtonte Mbretërinë e Bashkuar nuk do të pranonte të paguante faturën prej 50 miliardë paund (62 miliardë dollarë) për Brexit që Britania i detyrohej ligjërisht BE-së.

Ekzistojnë 2 arsye kryesore së përse evropianët nuk i kanë harruar plotësisht vitet e turbullta të presidencës Trump. Së pari, nëse dukuria Trump mundi të ndodhë një herë, s’ka asnjë arsye pse ai apo dikush me të njëjtat ide dhe mendësi të mos shkojë serish në Shtëpinë e Bardhë.

Së dyti, evropianët besojnë se Biden ka vazhduar të zbatojë pjesën më të madhe të politikës së jashtme të Trump, sa i përket proteksionizmit mbi tregtinë dhe presionin maksimal ndaj Kinës. Këto dy realitete, do të ndikojnë në qasjen evropiane ndaj Amerikës dhe tek vendi i saj në rendin botëror për të paktën dekadën e ardhshme.

Nëse bisedoni sot me diplomatë dhe zyrtarë evropianë, do të vini re se përmendet shpesh fjala “besim”. Pra besim jo vetëm tek qëllimet e SHBA-së si një aleate, por besim tek vetë demokracia amerikane. “Ne rikujtojmë shpesh atë që ndodhi më 6 janar 2021 në Uashington, dhe pyesim veten nëse mund të jemi të qetë se nuk do të diçka e ngjashme apo më e keqe se ajo.

Në rast se analizojmë ndarjet e thella në SHBA, dhe pyesim veten nëse mund të besojmë se SHBA-ja nuk do të përshkallëzojë më tej axhendën e saj proteksioniste bazuar në moton “Amerika e Para”, ne nuk kemi luksin të mbështetemi më shumë sesa duhet tek një aleat për të cilin nuk mund të besojmë se do të jetë i qëndrueshëm”- tha për CNN një diplomat i lartë evropian.

Kjo mungesë e besimit dhe dyshimit ndaj Amerikës, ka nxitur pjesërisht atë që në Evropë përmendet si axhenda e autonomisë strategjike. Në thelb, bëhet fjalë për një përpjekje të BE-në për të pasur një politikë të jashtme të pavarur, e cila e bën më pak të varur nga SHBA-ja.

Një element kyç i kësaj axhende, është që Evropa të mbajë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën, diçka që cilësohet si e papranueshme nga të dyja partitë kryesore në Amerikë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, e shpjegoi vizionin e tij mbi autonominë strategjike me terma disi të ngathët kohët e fundit, kur deklaroi për Politico se Evropa nuk duhet të bëhet “një ndjekëse e Amerikës” në përballjen e kësaj të fundit me Kinën.

Një koment i tillë ishte i diskutueshëm, sepse u bë në përgjigje të pyetjes se çfarë do të bëjë Evropa nëse Kina pushton Tajvanin . Por në përgjithësi, të 27 vendet anëtare të BE-së e mbështesin axhendën e automonisë strategjike, megjithëse me shkallë të ndryshme ashpërsie ndaj Kinës.

E vërteta është se shqetësimet e Evropën për sjelljen aktuale të Amerikës, kanë bërë që edhe disa nga skeptikët më të mëdhenj të Kinës në BE, ta pranojnë se Evropa duhet të ketë tashmë një qasje të ndryshme ndaj Pekinit nga Uashingtoni. Kjo nuk do të thotë se të gjitha vendet e BE-së janë të lumtura me këtë realitet të ri.

Madje disa, sidomos ato në lindje të bllokut, druhen se joshja ndaj tregjeve kineze dhe e krahut të lirë të punës, po i verbon vendet e tjera ndaj rrezikut i të qenit shumë të varur ekonomikisht nga Kina.

“Ne duhet të zhdukim rrezikun nga marrëdhëniet me Kinën, gjë që nuk e bëmë me Rusinë. Jam i shqetësuar se po e nënvlerësojmë rrezikun e Kinës. Rusofilët thanë se bashkëpunimi ekonomik do të na mbronte, por kjo nuk i ndaloi rusët të reduktonin furnizimin tonë me gaz”- thotë një diplomat i Evropës Lindore.

Por edhe radikalët më të mëdhenj, po flasin tani për zhdukjen e rreziqeve nga lidhjet e tyre me Kinën, në vend se t’i ndërpresin fare ato. Ndërkohë në të gjithë bllokun, zyrtarët po bëjnë një paralelizëm të drejtpërdrejtë me ndryshimet në marrëdhëniet BE-SHBA që ndodhën gjatë presidencës Trump, disa prej të cilave ata besojnë se tani është e pamundur të zhbëhen.

Ndërkohë në SHBA, zyrtarët janë optimistë se një ditë Evropa do të ndërgjegjësohet, dhe do të ketë një qasje më afër qëndrimit amerikan ndaj Kinës, e cila është dukshëm më armiqësore për tregtinë dhe zhvillimin e teknologjive, është shumë kritike ndaj të dhënave të Kinës sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe aktivitet e saj në Detin e Kinës Jugore.

“Amerika është shpesh ajo që i bie e pata këmbanës së alarmit. Aktualisht ne po i biem këmbanave për Kinën, por evropianëve mund t’u duhet pak më shumë kohë për t’i dëgjuar ato. Evropa ka shumë lidhje me Kinën, por kohët e fundit mësoi se sa shpejt një partner mund të bëhet kundërshtar. Testi i vërtetë për Evropën, do të ndodhë nëse rritet agresioni i Kinës ndaj Tajvanit”-tha për CNN një zyrtar i qeverisë amerikane.

Një zyrtar tjetër amerikan, tha për CNN se leksioni kryesor i presidencës Trump për aleatët, ishte të kuptonin se është e rëndësishme mbajtja e një marrëdhënieje “të qëndrueshme” me cilindo që ndodh të jetë në Shtëpinë e Bardhë, dhe se tani nuk është një kohë e mirë për t’u “vetëkënaqur” dhe humbur vëmendjen ndaj “domosdoshmërisë së SHBA-së si një fuqizuese e Evropës”.

Në Evropë, çështja e domosdoshmërisë shihet paksa ndryshe. “SHBA-ja është një partner i pashmangshëm, edhe pse jo rrallë problematik”- u shpreh një diplomati i lartë evropian për CNN. Dhe ndërsa disa të tjerë besojnë se me ndarjet e saj të brendshme politike, SHBA-ja,e ka bërë të vështirë që evropianët të besojnë plotësisht atë që u thuhet nga Uashingtoni.

Ata besojnë se ka disa gjëra që Biden – ose kushdo që e pason atë në detyrë – mund të bëjë për të ndihmuar marrëdhëniet dypalëshe. “Do të ndihmonte jo pak bërja e disa përpjekjeve simbolike për të pasur një marrëdhënie më të ngushtë në çështje të tilla si ekonomia dhe siguria kibernetike.

Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA, është shembulli i një forumi të mirë. Por për momentin ai është shumë i fokusuar tek teknologjia. Dhe amerikanët mund të na kishin kontaktuar shumë më shpejt për Aktin e Reduktimit të Inflacionit, duke na pyetur se si mund të ndikojë ai negativisht në ekonomitë tona”- thotë një zyrtar evropian.

Pas dyerve të mbyllura, nuk ka asnjë paqartësi:Zyrtarët evropianë do të jenë shumë më të lumtur nëse Biden fiton një mandat të dytë, sesa presidenti i ardhshëm i SHBA të jetë Ron DeSantis apo Donald Trump. Gjithsesi deri më tani, presidenca Biden nuk ka krijuar terrenin e duhur për një pajtim të madh. Ndaj Evropa është kryesisht e përkushtuar për të gjetur rrugën e saj në botë. /albeu.com


Shtuar 1.05.2023 13:01