Balla: Policia do të ketë një tjetër nivel komunikimi me qytetarët

Ministri i brendshëm Taulant Balla, duke marrë shëmbull sjelljen e Njësisë së qarkullimit Rrugor, theksoi se e gjithë Policia e Shtetit duhet të ketë të njëjtën qasje në komunikim përballë qytetarëve.

“Policia do të ketë një nivel tjetër komunikimi me qytetarët, pa zbehur tolerancën zero për “shkelësit arrogantë” të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ju sjell në vëmendje se një ndër burimet e trafikut në Tiranë janë edhe parkimet e gabuara mu në mes të rrugës apo drejtimi i mjetit duke përdorur njëkohësisht edhe telefonin. Këto shkelje të Kodit Rrugor janë të ndërshkueshme dhe nuk duhet të tolerohen”, shkruan ministri në një shënim në rrjetet sociale.

Ai shton se në detyrën si Ministër i Brendshëm, do të këmbëngulë për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe jo ndëshkimin.

“Nuk më gëzojnë “sukseset” e gjobave, por ndjesia e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është polici pas kthesës apo semaforit, por sepse kështu mbrojmë jetët e të gjithëve”, thekson Balla.


Shtuar 8.08.2023 18:33