Zbulohet data kur do të mbahet raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit

Raundi i dytë për votimin e Presidentit të ri do të mbahet më 23 maj në orën 18:00.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Raundi i dytë të zhvillohet ditën e hënë datë 23 maj orën 18:00. Besoj që ky është propozim që biem të gjithë dakord”, tha Taulant Balla.

Kushtetuta parashikon që Kuvendi të shkojë në një raund të dytë për të zgjedhur Presidentin e Republikës, e cila përkon me datën limit 24 maj. Nisur nga kjo, është organizuar sot në selinë e Kuvendit Konferanca e Kryetarëve për përcaktimin e datës kur do të tentohet për herë të dytë zgjedhja e Presidentit.

As opozita dhe as maxhoranca nuk kanë dalë me një emër deri më tani, ndërkohë që kryeministri Rama paralajmëroi një ditë më parë se do të prisnin opozitën deri në raundin e tretë për një marrëveshje, nëse kjo nuk ndodhte sipas tij, atëherë maxhoranca do ta zgjidhte vetë Presidentin në raundin e katërt apo të pestë./albeu.com/