U degdis në opozitë, Salvini paralajmëron në katër gjuhë: Do kthehem dhe më i fortë
Ish-ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini u premtoi përkrahësve të tij se LEGA do të kthehet në qeverinë italiane me më shumë forcë se më parë, dhe në stilin e tij euroskeptik, duke paralajmëruar njëherësh dhe aleatët evropianë, me një frengjishte, gjermanishte dhe anglishte të dobët, se populli italian nuk është shërbëtor i askujt.

“Unë kurrë nuk do të heq dorë, ngaqë vendi ynë pret gjithçka. Unë u jap një fjalë atyre që menduan se isha i lodhur dhe kisha nevojë për pushim, se do të punojë më shumë se më parë”, tha Salvini në takimin vjetor të LEGA-s, organizuar në Pontida, Lombardi.

“Unë preferoj që tani t’i lëmë shtatë postet ministrore te tradhtarët sepse brenda disa muajsh do t’i fitojmë përsëri me interes dhe transparencë”, tha Salvini.

Ndërsa zvogëloi tonin e tij shpesh të zjarrtë, duke u bërë thirrje mbështetësve të ishin të durueshëm dhe të sjellshëm në debatet politike, folësit që u shfaqën para Salvinit folën për revolucion dhe rezistencë, e diku, përfshirë dhe disa anëtarë të LEGA-s, sulmuan gazetarin italian Gad Lerner.

Mbështetësit e Salvinit, duket se nuk janë dekurajuar pas lëvizjeve të tij të gabuara politike, gjë të cilat bënë që ai dhe LEGA të dilnin nga qeveria e të përfundonin në opozitë. Kjo u duk teksa ata mbanin banderola të shumta që kërkonin zgjedhje, si dhe shalle ku shkruhej “Salvini përgjithmonë” si dhe bluza me slloganin “Salvini Kryeministër”.

Ajo çfarë ndodhi në këtë organizim ka një rëndësi shtesë, pasi Salvini kërkon të krijojë bazën e tij si kundërshtim ndaj koalicionit të ri qeverisës të përbërë nga Lëvizja Pesë Yje dhe Partia Demokratike.

Qeveria e re e përbërë nga këto dy forca, u nda muajin e kaluar kur Salvini papritmas “e shpalli të vdekur” dhe kërkoi të shkonte në zgjedhje me ëndrrën për t’u bërë kryeministër.

Qeveria e re italiane fitoi besimin në Senat të martën, pas një debati të nxehtë në të cilin Matteo Salvini akuzoi kryeministrin jopartiak Giuseppe Conte se tradhtoi votuesit.

Qeveria Conte 2, me Pesë Yjet (M5S) dhe Partinë Demokratike e Majtë (PD), u konfirmua të hënën në dhomën e ulët të parlamentit.

Qeveria e re pritet të jetë më e butë me migracionin dhe më pak konfrontuese me Bashkimin Evropian.

Shtuar më 16/09/2019, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori