Turqi, nis gjyqi ndaj gjeneralëve izraelitë
Një gjykatë në Turqi nisi një proces ndaj katër udhëheqësve të lartë ushtarakë izraelitë, të akuzuar për vrasjen e nëntë aktivistëve turq në vitin 2010.

Ish-shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Gabi Ashkenazi dhe ish-kryetarët e Shërbimeve Sekrete të Ushtrisë Izraelite, të flotës ajrore dhe asaj detare do të gjykohen në mungesë.

Nëntë aktivistët pro-palestinezë mbetën të vrarë pasi trupat e Tel Avivit bombarduan anijen e tyre, "Mavi Marmara", pasi nuk respektuan një bllokadë detare të vendosur mbi Rripin e Gazës.

Një prokuror i cituar nga agjensia e lajmeve "Anadollia" u shpreh se nëse gjenden fajtorë, ushtarakët izraelitë rrezikojnë të dënohen me nëntë burgime të përjetshme.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit pësuan një degradim të menjëhershëm pas sulmit, pasi autoritetet hebrehe refuzuan që të kërkonin ndjesë për incidentin.

Ankaraja u kundërpërgjigj me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe tërheqjen e ambasadorit nga Tel Avivi.

Një hetim i mëvonshëm i OKB-së përligji vendosjen e bllokadës detare, por fajësoi Izraelin për përdorim të tepruar të forcës në goditjen e anijes civile turke. Megjithate, Tel Avivi ka refuzuar qe te bashkepunoje ne cdo hetim apo proces ndaj ushtarakeve te tij. /albeu.com/
Shtuar më 28/05/2012, ora 16:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori