Trump tallet me akuzat për sulmin seksual
Presidenti amerikan, Donald Trump ka tallur hapur të martën profesoreshën, Christine Blasey Ford, e cila ka akuzuar të nominuarin për Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh për sulm seksual.

Ai ka bërë shaka me paaftësinë e saj për të kujtuar detajet e natës që supozohet se ka ndodhur sulmi.

Kjo deklaratë, njëherësh përbën ndryshim drastik të qasjes së Trumpit ndaj Ford, të cilën më parë e ka cilësuar “dëshmitare shumë kredibile”, pas dëshmisë së saj në Komitetin Gjyqësor të Senatit.

“Kam pasur një birrë, apo jo?”, ka thënë Trump duke tentuar të rikthejë në skenë, momentin kur Ford është përgjigjur para Komitetit të Senatit, derisa ka mbajtur një fjalim në Misisipi.

“Si keni shkuar në shtëpi? Nuk më kujtohet. Si keni shkuar atje? Nuk më kujtohet. Ku ka qenë vendi? Nuk më kujtohet. Sa vjet më parë ka ndodhur? Nuk e di, nuk e di, nuk e di”, ka thënë Trump, derisa pjesëmarrësit kanë brohoritur në mbështetje të tij.

“Në cilën lagje ka ndodhur? Nuk e di. Ku është shtëpia? Nuk e di. Poshtë shkallëve, lart shkallëve, ku ka ndodhur? Nuk e di. Mirëpo kam pasur një birrë. Kjo është e tëra që kujtoj. Dhe jeta e njeriut shkatërrohet”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ky sulm është kritikuar ashpër nga shumë persona, të cilët kanë thënë se tallje të tilla, janë arsye se pse të mbijetuarit e sulmeve seksuale kanë frikë të dalin para publikut.
Shtuar më 03/10/2018, ora 12:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori