Trump pranon se Moska ka hakuar të dhënat e demokratëve
Shefi i stafit të republikanit, Reince Pribus, theksoi se presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara nuk i hedh poshtë të dhënat që kanë grumbulluar agjencitë inteligjente amerikane, të cilat publikuan së fundmi edhe një raport të detajuar mbi sulmet kibernetike ndaj kampit te demokratëve gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Në një prononcim për mediat, Priebus u shpreh se Donald Trump e ka pranuar se ka pasur një interference nga qarqe të caktuara ruse në procesin zgjedhor, e më konkretisht në sulmin që i është bërë sistemit të të dhënave të demokratëve.

Megjithatë, sipas tij, nuk është Moska ajo që duhet fajësuar, por vetë demokratët, për shkak se nuk kishin të instaluara sisteme që shërbejnë për t’u mbrojtur nga pirateria kompjuterike.

Shefi i Stafit të Trump më tej theksoi se përplasjet mes Rusisë dhe ShBA-së në botën kompjuterike kanë nisur dekada më parë dhe se mund të ketë pasur gjithashtu ndërhyrje edhe në zgjedhjet që janë mbajtur vitet e shkuara.

Megjithatë, në prononcimet e tij për mediat, Presidenti rus, Vladimir Putin, thekson se këto akuza janë të pabaza dhe se kanë për qëllim që të zhvendosin vëmendjen e qytetarëve nga probleme të tjera madhore që ka sot bota. /albeu.com/
Shtuar më 09/01/2017, ora 16:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori