Trump nxjerr tanket në rrugë në SHBA
Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ta shënojë përvjetorin e pavarësisë së këtij shteti me fishekzjarrë, tanke e aeroplanë luftarakë, analistët kanë frikë se ai nuk do të mund t’i rezistojë një fushate përçarëse politike.

Ata po kërkojnë që presidenti amerikan ta marrë përsipër faturën për secilin dëmtim që u shkaktohet rrugëve, urave dhe monumenteve nga qarkullimi i automjeteve të rënda ushtarake.

Donald Trump do ta mbajë një fjalim përballë Memorialit të Linkolnit për ta nderuar presidentin që e fitoi luftën civile dhe dha ndihmë për përfundimin e skllavërisë. Ky vend është gjithashtu simbol për mbrojtësin e të drejtave civile, Martin Luther King, sepse pikërisht aty ishte mbajtur fjalimi i famshëm, “Unë kam një ëndërr”.

William Barber, drejtor i Shoqatës së Njerëzve të Varfër, shkroi në Twitter: “Trump po e krijon një spektakël me tenka e raketa në vendin ku janë mbajtur protesta të mëdha për të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile. Kjo gjë po bëhet në kohën kur 140 milionë amerikanë janë të varfër dhe me të ardhura të ulëta. Ai mendon se kjo është shenjë e fuqisë, por është thjesht një mashtrim i mallkuar narcist”.

Ceremonia për festimin e përvjetorit të 243-të të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara do të mbahet në një rajon me atmosferë politike armiqësore. Hillary Clinton i kishte fituar më shumë se 90 për qind të votave në Kolumbi në vitin 2016, ndërsa presidenti Trump vetëm 4.1 për qind.

Për dekada të tëra, presidentët e ndryshëm të Shteteve të Bashkuara kanë organizuar ceremoni modeste për festimin e përvjetorit të pavarësisë, por presidenti Trump ka vendosur që përvjetori i sivjetmë të shënohet më ndryshe.
Shtuar më 03/07/2019, ora 10:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori