Trump mbështet kryeministren britanike në luftën kundër terrorizmit
Metroja e Londrës u trondit mëngjesin e djeshëm nga një shpërthim, që policia e cilësoi sulm terrorist. Shpërthimi ndodhi gjatë orëve të mëngjesit, të ngarkuara me trafik Punonjësit e shpëtimit thanë se asnjëri prej 22 personave të lënduar nuk kishin marrë plagë të rënda.

Policia shkoi me nxitim tek stacioni nën tokë i metrosë, që anglezët i referohen si "the tube", në Parsons Green për të zhvilluar hetimet e nevojshme. E gjithë zona është rrethuar me kordon sigurie.

Mark Rowley, zëvendës komisioneri i Policisë Metropolitane të Londrës u tha gazetarëve se "shpërthimi duket se ka qenë i qëllimshëm dhe se pas disa hetimeve doli se ai ishte shkaktuar nga një pajisje shpërthyese e improvizuar".

Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë një kovë që kishte marrë zjarr, e cila ishte vendosur brenda në një qese plastike pranë derës së njërit prej vagonave të trenit.

Kryeministrja britanike Theresa May e cilësoi sulmin "një akt prej frikacakësh" dhe u bëri thirrje banorëve të Londrës që të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme normalisht, megjithëse niveli i kërcënimit mbetet i lartë."

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antionio Guterres bëri një deklaratë, ku e dënonte sulmin dhe u uronte personave të plagosur shërim të shpejtë. "Kombet e Bashkuara janë në solidaritet me popullin dhe qeverinë e Britanisë së Madhe", thonte në deklaratë zoti Guterres.

President Donald Trump e telefonoi kryeministren britanike të premten, për t'i shprehur keqardhje për sulmin, thonte përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.

Në Deklaratë thuhej se Presidenti Trump "zotohet ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Britaninë e Madhe, për t'i dhënë fund sulmeve në mbarë botën që venë në shënjestër civilë të pafajshëm dhe për të luftuar ekstremizimin."

Policia e Londrës tha se hetimet për sulmin po zhvillohen me ndihmën e MI-5, Agjencisë Britanike të Zbulimit.

Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson bëri thirrje për qetësi dhe shtoi se është e rëndësishme që të mos bëhen spekullime për sulmin. Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan tha se kryeqyteti britanik "nuk do të frikësohet kurrë nga terrorizmi."

Presidenti Trump, thirrje për "ndalim më të ashpër" të udhëtimeve për në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje sot për një "ndalim më të ashpër dhe më konkret" të udhëtimeve drejt Shteteve të Bashkuara, pas shpërthimit të një bombe artizanale në një tren të Londrës.

Në një seri komentesh në Twitter sot në mëngjes, zoti Trump e quajti shpërthimin një tjetër sulm të ndërmarrë "nga një dështak terrorist" dhe la të kuptohej se policia e Londrës humbi një rast për ta parandaluar atë.

Presidenti Trump tha gjithashtu se ndalimi i udhëtimeve për gjashtë vende kryesisht muslimane duhet të jetë "shumë më i madh, më i ashpër dhe më konkret, por kjo nuk do të quhej politikisht korrekte!”

Bomba shpërtheu në një tren të mbushur plot gjatë orëve me trafik të dendur, duke lënë të paktën 22 të plagosur, por jo rëndë. Policia tha se shpërthimi ishte një sulm terrorist, i pesti në Britani këtë vit.

Duke komentuar në Twitter, Presidenti Trump shkruante: “Është fjala për njerëz të sëmurë dhe të çmendur që ishin të njohur për policinë britanike. Duhet të tregohemi aktivë.”

Policia britanike nuk pranoi të komentonte, por Kryeministrja britanike Theresa May u përgjigj pa vonesë, duke thënë: "Asnjëherë nuk mendoj se është e dobishme kur dikush shpreh hamendje rreth diçkaje në hetim e sipër.” /VOA/
Shtuar më 16/09/2017, ora 09:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori