Trump largohet para kohe nga takimi i ASEAN-it
Pëlqej
Presidenti amerikan, Donald Trump, anashkaloi në minutën e fundit, seancën plenare të Samitit të Azisë Lindore me pjesëmarrjen e 18 vendeve, ndërkohë që konferenca po zgjatej më shumë sesa ishte planifikuar.

Në vend të kësaj, Trump hipi në avionin presidencial për t’u larguar nga Filipinet. Avioni i tij u nis nga aeroporti ndërkombëtar Ninoy Aquino të martën pasdite, 30 minuta më herët nga planifikimi.

Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson iu kërkua të qëndronte në seancë në vend të presidentit Trump.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e shpjeguan largimin para kohe me faktin se zoti Trump e tha atë që donte të thoshte në samit gjatë një dreke të mëparshme për udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Një nga arsyet që vizitës së zotit Trump në Filipine iu shtua edhe një ditë ishte që ai të mund të merrte pjesë në Samitin e Azisë Lindore, një forum i rëndësishëm strategjik rajonal.

Presidenti Trump i dha fund udhëtimit 12-ditor në Azi pa ndonjë njoftim të rëndësishëm politik, por ai deklaroi se ky ishte “një turne jashtëzakonisht i suksesshëm”, duke vënë në dukje se gjatë vizitave “kishte bërë miq të shumtë në nivelin më të lartë”, shkruan VOA.

Ai tha gjithashtu se udhëtimi i tij kishte rezultuar në marrëveshje biznesi që kapnin të paktën 300 miliard dollarë dhe ndoshta trefish më shumë. /albeu.com/

Shtuar më 14/11/2017, ora 18:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori