Trump: Jam gati të punoj me Kinën e Rusinë
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump thotë se ai është i gatshëm të punojë me Rusinë dhe Kinën, në rast se edhe palët bashkëveprojnë.

Për Wall Street Journal, Trump u shpreh se sanksionet e reja të vendosura ndaj Rusisë do të qëndrojnë “të paktën për një periudhë kohore” dhe më pas ato do të hiqen.

Për politikën e “Kinës së vetme”, ku Shtetet e Bashkuara nuk njohin Taivanin, republikani tha se është i hapur për negociata. Ndërkohë, një komitet i Senatit amerikan do të hetojë pretendimet se Rusia është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale.

Në intervistën e tij, Trump tha se sanksionet ndaj Rusisë mund të hiqen në rast se Moska do të ndihmojë Uashingtonin në luftën kundër ekstremizmit islamik dhe çështje të tjera të rëndësisë globale.
Republikani gjithashtu u shpreh se shpreson të ketë mundësinë të takohet personalisht me presidentin rus Vladimir Putin.

Sa i përket Pekinit, Trump tha se Kina duhet të lejojë kompanitë amerikane të konkurrojnë, duke implementuar një kurs fleksibël të monedhës.

Presidenti i zgjedhur premtoi të mos e quajë Kinën një manipuluese të monedhës në momentin që do të marrë detyrën, vetëm një muaj pasi ai vuri në dyshim politikën e “Kinës së vetme”, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në radhën e medias shtetërore kineze, informon Ora News.

Sakaq, liderët republikanë dhe demokratë në Komitetin e Inteligjencës së Senatit po vijojnë me çështjen ndaj Rusisë për të parë se ku hetimi do t’i çojë. Senatorët do të publikojnë raporte të klasifikuara dhe jo të klasifikuara mbi gjetjet e tyre, ndërkohë që pjesa më e madhe e procesit hetues do të bëhet me dyer të mbyllura. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2017, ora 16:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori