Trump, i gatshëm të dëshmojë nën betim për bisedat me ish-kreun e FBI-së
Presidenti Donald Trump tha se është “100 për qind” i gatshëm të dëshmojë nën betim për bisedat e tij me drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey.

Ai i bëri komentet të premten pasdite në një konferencë shtypi me presidentin e Rumanisë në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump këmbënguli se ish-kreu i FBI-së gënjeu në disa pjesë të dëshmisë që dha të enjten në komisionin e Senatit për Zbulimin.

Presidenti tha se ai kurrë nuk i kishte kërkuar zotit Comey t’i shprehte besnikërinë dhe asnjëherë nuk i kishte thënë atij se shpresonte që ta mbyllte hetimin për ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn.

Presidenti Trump nuk e përjashtoi pohimin e tij të mëparshëm se mund të ekzistojnë regjistrime të bisedave të tij me zotin Comey.
“Ndoshta do t'jua them këtë në një të ardhme shumë të afërt,” u deklaroi ai gazetarëve.

Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Trump më në fund konfirmoi publikisht angazhimin e tij ndaj klauzolës së NATO-s për mbrojtjen e përbashkët.

Kur zoti Trump foli në takimin e aleancës në Belgjikë muajin e kaluar, ai nuk iu referua kësaj klauzole, të njohur si Neni 5.
Por të premten ai tha se ishte "i angazhuar ndaj nenit 5 të Aleancës.

I vetmi rast në të cilin anëtarët e NATO-s përdorën nenin 5 ishin ditët menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. /VOA/

Shtuar më 09/06/2017, ora 23:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori