Vetëm pak pasi
Donald Trump bëri të ditur mekanizmin që sipas tij do ta ndajë atë nga menaxhimi i drejtpërdrejtë i bizneseve, Zyra e Etikës në Qeverinë amerikane e ka kritikuar
planin duke nënvizuar se delegimi i kompetencave menaxheriale tek dy djemte e
miliarderit nuk do ta zhdukë konfliktin e interesit.
Në një prononcim për mediat, shefi i këtij institucioni, Walter Shaub, u shpreh se republikani rrezikon që të prishë një standart të ruajtur prej më shumë se 40 vitesh nga Presidentët e Shteteve të Bashkuara.
Zyrtari amerikan thekson se skema e propozuar nga
Donald Trump nuk përbën një ndarje substanciale të tijën nga perandoria ekonomike që ai zotëron.
Për këtë arsye, Shaub i bën thirrje
miliarderit që të ndjekë shembullin e paraardhësve të tij modernë.
Presidenti i zgjedhur
Donald Trump prezantoi gjatë konferencës së mbajtur më herët mënyrën se si do të vepronte për t’u distancuar nga biznesi me qëllim që t’i përkushtohet maksimalisht detyrës së tij të re.
Avokatja e tij, Sherri Dillon, e cila bëri të ditur
planin në terma ligjorë tha se
Trump do të shesë të gjitha aksionet e korporatave dhe do t’i vendosë fitimet në një llogari që do të menaxhohet nga një person i besuar, por që do të ketë pavarësi në marrjen e vendimeve.
Gjithashtu, pjesa administrative do t’i takojë dy djemve të rritur të
Trump, që janë Eric dhe
Donald Trump Junior.
Kjo skemë nuk është pritur mirë nga zyrtarët e etikës, por ende nuk dihet nëse Presidenti i zgjedhur do të bëjë ndryshime në mekanizmin e propozuar, informon Ora News.
Donald Trump është një prej biznesmenëve më të njohur në mbarë botën, ndonëse jo nga më të pasurit.
Pasuria e tij, sipas revistës Forbes, është 3.7 miliardë dollarë amerikanë, gjë që e rradhit atë në vendin e 485-të në listën e njerëzve më të pasur të botës.
Për këtë arsye, shumë ekspertë paralajmërojnë se pushteti i karriges së Presidentit mund ta shtyjë
Trump që të marrë vendime në interes të bizneseve të tij. /albeu.com/
Shtuar më 12/01/2017,
ora 16:18