Berisha e refuzoi, Alibeaj: Kush bën zgjedhje të njëanshme, nuk i shërben bashkimit të demokratëve

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj foli për një bashkim të demokratëve nën siglën e PD-së, ndërsa nuk la pa përmendur faktin se aktualisht në parti janë duke u zhvilluar zgjedhje në disa degë në kuadër të krerëve të grup seksioneve dhe drejtuesve lokal.

Nërsa u pyet nëse shihte ndonjë pengesë për implementimin e kësaj platforme, Alibeaj tha se këto zhvillime nuk e bashkojnë PD-në, përkundrazi. Madje, një ndër pikat kryesore të platformës ishte ndërprerja e riorganizimeve të njëanshme në parti për t’i dhënë një mundësi ribashkimit.

“Duke qenë se kjo është një platformë që për bashkimin s’do të doja të bëja asnjë akt që duket provokativ, e rendësishme janë idetë, procesi dhe të jemi të sinqertë, siç besoj që e kanë dhënë të gjithë këta deputetë, që të rezonojë qendrimin e Grupit Parlamethar dhe të demokratëve poshtë. Kush bën procese të njëanshme, vetëm bashkim nuk bën”, tha Alibeaj duke theksuar se do të donte që të shfrytëzonte çdo mundësi, qoftë edhe minimale për të bashkuar PD-në duke mos harruar të japë edhe një tjetër mesazh për Berishën.

“PD është e demokratëve dhe jo e emrave të përveçëm. Nuk duhet të jetë e tillë. Ky koncept duhet refuzuar. Janë demokratët që përballen me regjimin e Edi Ramës atje në bazë”, tha Alibeaj.

Një ditë më parë Berisha tha se nuk e pranonte platformën e Alibeajt pasi ky i fundit nuk mund të firmoste asgjë në emër të demokratëve. Pas Berishës, platforma u refuzua edhe nga një pjesë e mbështetësve të tij, të cilët theksuan se nuk mund të ketë bashkim të PD pa Berishën.


Shtuar 16.04.2022 11:19