Traktati i BE-së, marrëveshje në mesnatë
Albeu.com
Liderët e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje në lidhje me traktatin që do të reformojë bllokun me 27 anëtarë. Marrëveshja në Lisbonë u finalizua në orët e para të mëngjesit të së premtes, pas kapërcimit të pengesave të paraqitura nga Italia dhe Polonia.Marrëveshja është projektuar për të zëvendësuar Kushtetutën Evropiane që zgjedhësit francezë dhe ata holandezë e hodhën poshtë në 2005-ën dhe do të firmoset zyrtarisht më 13 dhjetor. Marrëveshja përfshin krijimin e një Presidence më të gjatë të Këshillit Evropian dhe një shef diplomacie të Bashkimit Evropian. Në rast se ajo që do të njihet tani e tutje si Marrëveshja e Lisbonës do të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare, do të hyjë në fuqi në 2009-ën. Pas më shumë se shtatë orësh bisedime që filluan të enjten në mbrëmje dhe zgjatën deri pas mesnate, liderët e BE-së dolën duke u përqafuar dhe duke i rënë shpatullave njëri-tjetrit, dukshëm të çliruar pasi kriza më serioze e më e rëndë në historinë 50-vjeçare të bllokut, tashmë duket se ka përfunduar. Në negociatat e minutës së fundit, Italia fitoi edhe një vend më shumë në Parlamentin e ardhshëm Evropian, duke u barazuar sërish me Britaninë e Madhe e duke finalizuar kështu krenarinë kombëtare të italianëve. Ndërsa Polonia, siguroi një garanci sipas së cilës, grupe të vogla vendesh mund të jenë në gjendje të vonojnë vendime të Bashkimit Evropian nëse nuk do të jenë të kënaqura me to, një fitore për qeverinë polake, pak para zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Më herët, ishte Austria ajo që arriti një marrëveshje në lidhje me qëllimin e saj për ruajtjen e kuotave për studentët e huaj dhe Komisioni Evropian ra dakord të pezullonte për pesë vjet veprimet e saj ligjore në lidhje me kuotat e këtij vendi. Bullgaria gjithashtu ishte një tjetër fitimtare. Ajo siguroi të drejtën për ta quajtur monedhën e përbashkët evropiane, "evro" dhe jo euro, kjo sipas alfabetit të saj cirilik. Marrëveshja e re e reformimit, parashikohet se do të përshpejtojë vendimmarrjen në Bashkimin e zgjeruar Evropian. Ajo gjithashtu do të krijojë një Presidencë të re të Këshillit, një "ministër të Jashtëm" të BE-së, një sistem votimi të reformuar si edhe do të heqë vetot në dhjetëra fusha veprimi. Gjithsesi, dokumenti prej 250 faqesh është zhveshur nga çfarëdolloj hapësire për keqinterpretim dhe nuk lë shteg për të aluduar për një super-shtet; nuk përmend as një himn evropian dhe as një flamur të BE-së. Ajo amendon dhe nuk zëvendëson marrëveshjet ekzistuese evropiane, një pikë që për shumë vende, veçanërisht për Britaninë e Madhe, tregon se nuk ka nevojë për zhvillimin e referendumeve për miratimin e dokumentit. Pas marrëveshjes, Jose Sokrates, Kryeministri i Portugalisë, që mban Presidencën e radhës së BE-së, tha se Evropa kishte dalë nga një "krizë e rëndë institucionale". "Me këtë marrëveshje, Evropa tregon se projekti evropian po ecën përpara. Tani ne mund të shohim me besim nga e ardhmja", shtoi ai. Edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, theksoi se marrëveshja ishte një arritje e madhe. G. Shqip
Shtuar më 20/10/2007, ora 17:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori