Rishpërndarja e gjykatave nuk i shërben shpejtësisë në shqyrtimin e dosjeve, rrezikohet të krijohet kaos

Shqetësimi kryesor i avokatëve për rishpërndarjen e gjykatave me hartën e re gjyqësore është rritja e kostove për shërbimin mbrojtës, që do të sjellë kufizime të aksesit në drejtësi për shumë qytetarë.

Për këto arsye, Presidenti i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, z. Maksim Haxhia, kërkon që Këshilli i Ministrave të pezullojë përkohësisht vendimmarrjen për vendimin e KLGJ-së, pasi në sistemin gjyqësor rrezikohet të krijohet kaos edhe nga lëvizja e gjyqtarëve dhe stoku i dosjeve në Tiranë.

Haxhia ngre shqetësimin se, deri tani, asnjë nga propozimet e dhomës nuk është marrë në konsideratë.

Haxhia, çfarë masash do të vijojnë të merren nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, pas vendimit për bojkot pa afat?

Në mbledhjen e 29 qershorit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, e iniciuar konform statutit të dhomës dhe ligjit për profesionet e lira, u shqyrtua në rend të ditës vijimi i qëndrimit nga dhomat vendore dhe Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë për hartën e re gjyqësore.

Në përfundim të mbledhjes, nga 70 anëtarët e pranishëm, prej totalit prej 90 anëtarësh, pasi u dhanë disa propozime arritëm në marrjen e vendimit për vendosjen e bojkotit të përgjithshëm të të gjitha proceseve gjyqësore, duke përfshirë ato administrative dhe penale.

Vendimi i dytë ishte bojkoti i masave të sigurimit për një afat 10-ditor. Kjo vendimmarrje është kompetencë e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë. Këshilli pritet të mblidhet shumë shpejt për të analizuar situatën, pasi nuk dëshirojmë që me anë të bllokimit të arrihet në situatë ekstreme të kolapsit të sistemit.

Në ditët në vijim pritet të vijojmë takimet me ministrin e Drejtësisë dhe trupën e Kolegjit të Lartë Gjyqësor, për të gjetur mundësitë për të dalë nga kjo situatë. Ne do të paraqesim propozime konkrete për mundësinë e rishikimit të vendimit për hartën gjyqësore.

Vendimi është prodhuar nga KLGJ, për këtë arsye u bëjmë thirrje të ulemi sërish në diskutime për të rishikuar hartën e re gjyqësore. Në fokus të takimeve me ministrin e Drejtësisë do të kërkohet pezullimi përkohshëm i vendimmarrjes nga qeveria.

Po ashtu jemi në pritje të vlerësimeve të komisionit për përputhshmërinë e hartës gjyqësore me ndarjen territoriale. Theksoj se modalitetet e ndarjes së gjykatave janë përcaktuar nga KLGJ dhe jo nga qeveria. Për zbatimin e vendimit të KLGJ-së, qeveria përgatit vetëm infrastrukturën dhe faturën financiare.

Pse po kundërshtohet nga Dhoma e Avokatisë harta gjyqësore, ku preket profesioni i avokatit me rishpërndarjen e gjykatave?

Me hartën e re gjyqësore, KLGJ bën kapërcime ekstreme në funksionimin e gjykatave. Aktualisht në Shqipëri janë 6 Gjykata Apeli, të cilat do të shkrihen në një të vetme.

Së pari, që të kalosh në këto kuota, nga 6 në 1 gjykatë, nga shteti duhej të ishte ndërtuar infrastruktura e duhur 5 vite më parë, duke përfshirë ambientet për të burgosurit, shërbimi i arkivës, protokollit, ndihmësit, sallat gjyqësore. Për të realizuar këtë shërbim gjyqësor së paku nevojitet një godinë gjigante.

Së dyti, shkrirja e gjykatave të Apelit në rrethe domosdoshmërisht do të sjellë në Tiranë gjyqtarët dhe çështjet gjyqësore që janë duke ndjekur. Kjo do të sjellë shtimin e numrit të dosjeve, duke marrë në konsideratë edhe dosjet aktuale të pashqyrtuara në Apelin e Tiranës.

Pra rishpërndarja e gjykatave nuk do t’i shërbejë shpejtësisë për shqyrtimin e dosjeve gjyqësore. Në këto kushte rrezikohet të krijohet kaos. Në këtë situatë, është e domosdoshme të gjendet një model që mundëson edhe aksesin e avokatit në çështjet gjyqësore, por edhe shpejtësinë në shqyrtimin e dosjeve.

Së treti, për shkak të largësisë fizike të gjykatave, shpenzimet e qytetarëve për avokatët do të rriten, çka pritet të intimidojë aksesin e qytetarëve në drejtësi. Shumë prej tyre, për shkak të rritjes së shpenzimeve mund të heqin dorë nga gjykimi i çështjeve.

Kjo prek, po ashtu, edhe shumë zyra të avokatëve në rrethe, të cilët duhet të ndjekin çështjet në Tiranë. P.sh., një avokat në qytetin e Gjirokastrës ka investuar prej vitesh për zyrën në qytetin e tij, pranë së cilës ka edhe familjen.

Harta e re gjyqësore jo vetëm e “çorodit” profesionin e avokatit, i cili duhet t’ia nisë gjithçka nga e para, por në të tilla kushte kufizohet edhe aksesi i avokatit për të ushtruar profesionin.

Për këto arsye është e domosdoshme të gjendet një skemë ku të gjithë të kenë akses në drejtësi, që nga qytetarët deri tek avokati dhe në kohë sa më të shpejtë, pasi “një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar”.

Edhe orientimet e Gjykatës së Strasburgut dhe të të Drejtave Themelore të Njeriut përcaktojnë që gjykimi duhet të zbatohet brenda një kohe të arsyeshme. Për situatën ku jemi sot, pa godinë, pa infrastrukturë, pa mjete, me stok dosjesh të pashqyrtuara, pa skuadër gjyqtarësh, duhet të gjendet zgjidhja më optimale.

Cilat janë propozimet tuaja si mund të zgjidhej kjo situatë?

Fillimisht, ne kemi propozuar kandidaturat për disa avokatë me integritet dhe aftësi profesionale që të dërgohen si gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë në rrethe dhe në apel, për një periudhë të përkohshme, për çështje administrative, si: dëmshpërblimet apo pagat, që do të lehtësonin situatën me dosjet e pashqyrtuara.

Një tjetër propozim ishte që avokatët të bëheshin këshilltarë që të ndihmonin gjyqtarët në përgatitjen e studimit të dosjeve.

Për sa i përket shpërndarjes së gjykatave rekomanduam të ishin reduktuar në katër Gjykata Apeli, si p.sh, Vlorë, Korçë, Tiranë dhe Shkodër e në vijim të merreshin masa të tjera në mungesë të rezultateve të kësaj shpërndarje. Nga Ministria e Drejtësisë dhe KLGJ janë zhvilluar tryeza bisedimesh në 6 qytetet ku janë gjykatat e apelit.

Në të gjitha këto takime, ne kemi ngritur shqetësimin për mungesën e infrastrukturës për funksionimin e hartës së re gjyqësore, faturën që duhet të përballojë qeveria dhe kostot shtesë për qytetarët.

Është i habitshëm fakti që anëtarëve të KLGJ-së nuk iu interesonte a ishte në gjendje qeveria të përgatiste infrastrukturën e duhur dhe të përballonte faturën financiare për hartën e re gjyqësore.

Vendimi i KLGJ-së gjithashtu ka një handikap ligjor. Përveç detyrimit që harta gjyqësore duhet të kombinojë me hartën territoriale, KLGJ ka detyrimin ligjor të shprehej në vendim që gjykatat e rrethit që suprimohen, duhet të ktheheshin në degë gjykatash.

Kjo do të thotë që, nëse në Pogradec hiqet një gjykatë, do të vazhdojë të qëndrojë godina, së bashku me shërbimin e protokollit dhe arkivës, pasi do të vijnë në Pogradec gjyqtarët e Korçës për të shqyrtuar çështjen e banorëve të këtij qyteti me qëllim që të mos cenohet aksesi në drejtësi i individit. Por ky kriter i përcaktuar në ligj nuk është marrë në konsideratë.

Shqetësim tjetër është shkrirja e 6 gjykatave administrative të shkallëve të para në dy, një në Tiranë dhe Lushnjë. Kjo nuk ka asnjë sens, pasi një qytetar nga Përmeti apo Puka, për një masë administrative 100,000 lekë duhet të shkojë ta kundërshtojë në Lushnjë apo Tiranë.

Gjithashtu, janë hequr gjykata të mëdha, si ajo e Kavajës, Kurbinit që shqyrtonte çështjet e Mamurrasit, Milotit, Laçit, Krujës, Rrëshenit dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Lushnjë. Në kemi paraqitur kundërshtimet e argumentuara për hartën gjyqësore, por asnjë prej tyre nuk është marrë në konsideratë.

Mendoni se vendimi për hartën gjyqësore është ndërmarrë për shkak të mungesave në gjyqtarë dhe prokurorë që krijoi reforma në drejtësi?

Ju falënderoj për pyetjen, pasi më kthyet memorien në diskutimet me KLGJ-në. Nga ana e KLGJ-së, në diskutimet e mëparshme në tryezat e rrumbullakëta është mohuar kategorikisht se harta e re gjyqësore është diktuar nga situata që solli procesi i vetingut. Ndërkohë para 10 ditësh, KLGJ e pranoi se kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e gjyqtarëve.

Duhet të theksoj se avokatët nuk janë kundër reformës në drejtësi, as kundër qeverisë. Shqetësimi ynë është që qeveria nuk duhet të miratojë çdo lloj harte që sjell gjyqësori.

Kjo ndodh pasi politika në Shqipëri gjithmonë është akuzuar për pengesa të reformës së drejtësisë dhe për të qenë jashtë çdo pozicionimi të kompromentuar në të ardhmen, kanë deklaruar se çfarë të sjellë KLGJ do ta miratojë. Por fatura financiare bie mbi qytetarët dhe avokatët./Monitor