Tjetër incident në Paris, makina përplas një police
Dy të rinj janë vënë në pranga në Paris, pasi kanë goditur me makinë një efektive policie jashtë pallatit presidencial në Francë. Drejtuesi i mjetit po lëvizte në kundravajtje në një rrugë njëkalimshme, pavarësisht prezencës së punonjëses së policisë aty, çka ngre dyshimet për hetuesit se sulmi mund të jetë i qëllimshëm.

Efektivja e policisë ka dalë para makinës për ta ndaluar, por ka mbetur e plagosur nga përplasja. Në automjet sipas policisë franceze ndodheshin 4 të rinj, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa një djalë dhe një vajzë kanë mundur të arratisen.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme përpara pallatit presidencial "Elysee", brenda të cilit në atë kohë ndodhej dhe Presidenti Francois Hollande.

Oficerja 37-vjeçare është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin mjekësor për dëmtim të gjymtyrëve dhe shtyllës kurrizore.

Incidenti me efektiven e policisë është regjistuar në një kohë kur Paris është në gjendje të lartë sigurie për shkak të sulmeve të ndodhura disa ditë më parë, por sipas policisë franceze ky incident mendohet se nuk ka lidhje me sulmet terroriste. /albeu.com/
Shtuar më 15/01/2015, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori