Tito, 30 vjet pas
Albeu.com
The IndependentNë varësi nga ajo se me kënd flisni, del se ai ishte “një magjistar i vetëpromovimit” ose njeriu që e udhëhoqi triumfalisht ish-Jugosllavinë gjatë viteve të saj të arta.Kritikët flasin me përçmim për dashurinë e tij për cigaret kubane dhe whiskey’n, e mbështetësit pohojnë se gjithçka që kishte i përkiste popullit. Në përvjetorin e 30 të vdekjes së tij, trashëgimia e Josip Broz Titos ende mbetet temë e debateve të ashpra.


Luftërat e viteve të 90’a që e shkatërruan plotësisht atdheun e tyre të dikurshëm, bashkë me tranzicionin e dhimbshëm drejt ekomomikë së tregut që varfëroi miliona njerëz, nënkuptojnë se era e liderit komunist Tito tani kujtohet me nostalgji, kryesisht nga të moshuarit - si pjesa më e mirë e historisë së tyre.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë pushoi së ekzistuari para rreth dy dekadash, por një gjë ende i bashkon banorët e dikurshëm: nga Sllovenia deri në Maqedoni çdokush e di se ku ndodhej më 4 maj 1980, kur sundimtari komunist i Jugosllavisë për 35 vjet vdiq në moshën 88-vjeçare.

"Është normale që njerëzit të jenë nostalgjik”, thotë për gazetën ‘The Independent’ nipi 63-vjeçar i Tito’s, Josip-Joska Broz.

“Ishte një kohë e sigurt dhe pa rreziqe; një baba që punonte mund ta mbante gjithë familjen, arsimi dhe shëndetësia ishin pa para për të gjithë. E, Jugosllavia kishte reputacion të mirë në gjithë globin”, shton ai.

Në Beograd, muzetë kanë hapur një sërë ekspozitash në shenj kujtimi për Titon, të cilat kanë joshur mijëra njerëz nga Serbia dhe ish-republikat tjera jugosllave.

"Gjithçka u përmbys pas vitit 1980, veçanërisht gjatë viteve të 90’a e këndej. Janë thënë shumë gënjeshtra për Titon, andaj të rinjtë janë të hutuar. Historia do të duhej të gjykojë për meritat e tij”, pohon pensionisti Broz në Beograd.

Familja Broz nuk ka trashëguar asgjë nga Tito, megjithëse lideri jugosllav është akuzuar shpesh për stilin e tij luksoz të jetesës, përfshirë shoqërimin me yjet ndërkombëtare të filmit. Edhe të arriturat e tij, si politika e mosinkuadrimit “as me Lindjen as me Perëndimin”, janë përqeshur po ashtu.

"Ai nuk mori asgjë. Dëshironte që çdo gjë – të gjitha shtëpitë, artefaktet, pikturat dhe dhuratat nga mysafirët ndërkombëtarë – t’i përkisnin popullit të tij. Mirëpo ne s’e dimë se ku përfunduan shumë nga ato tani, ndoshta si plaçkë e ndonjë tajkuni”, thotë Broz.

Një dekadë pas vdekjes së tij, ish-federata u shpërbë përmes luftërave të përgjakshme. Kjo çoi në rrënimin e sistemit të sigurimit social, nga ç’gjë Bosnja e varfër dhe Serbia po shërohen gradualisht tek tani. Trajtimi i mirë mjekësor tashmë është privilegj i klinikave të pasura private, ndërkohë që edhe universitetet shtetërore kanë futur taksa për regjistrim, prandaj shumëkush ende e kunjton me simpati erën e Titos.

"Ishte një kohë kur vetë Zoti ecte në tokë; punë të sigurt, para të mira, pushime jashtë vendit ose në Kroaci”, kujton arkëtarja bankiere, Gordana Majstorovic (55) nga Beogradi.

“Kam nostalgji për atë periudhë”.

Një prej padrejtësive pas vdekjes së Titos ishte izolimi i të vejës së tij, Jovanka Broz (85), e cila ende jeton në Beograd. Menjëherë pas vdekjes së Titos ajo u transferua në një vilë të rrënuar. E lejuan që me vete t’i merrte disa kujtime, por jo edhe stolitë, dokumentet apo fotografitë nga jeta e përbashkët me Titon.

Për historianin, Predrag Markovic, për Titon, karizmën e tij, e as për pozitën që kishte në vend ose jashtë, nuk ka mistere.

"Tito ishte një prej magjistarëve më të mëdhenj të vetëpromovimit dhe një diktator komunist i popullarizuar në Perëndim”, thotë Markovic.

"Ai duhej nga britanikët për shkak të antifashizmit në Luftën e Dytë Botërore, nga shumëkush shkaku i rezistencës ndaj Stalinit, e nga populli shkaku i standardit të lartë të jetës, lirisë së udhëtimit dhe jetës nën një diktaturë të butë, ose liberale. Socializmi ishte sistem shumë komfor: punoje pak, dhe ishe i sigurt në çdo aspekt”, thotë Markovic.

Por Markovic përkujton se, megjithëse kishte një represion të vogël ndaj disidentëve, Tito krijoi një kult personaliteti ndërkaq ndarjet mes jugosllavëve i fshehu nën qilim.

"Urrejtja ndëretnike ishte e padukshme derisa kishte para. Ata e shkatërruan shtetin më vonë, mirëpo dimensionet e trashëgimisë së tyre janë si një xhuxh krahasuar me ato të Titos.

"Është si të krahasosh de Gaulle me Nicolas Sarkozy", shton Markovic. "E, aty nis nostalgjia – është një nostalgji për një shtet të vërtetë, e jo për këto banana republikat, gjegjësisht kumbulla republikat që i kemi tani”, thotë Markovic derisa iu referohet frutave më të përhapura në Ballkan.

Për historianin, ka disa mësime që BE duhet t’i mësojë nga gabimet e Titos, një prej të cilave ishte futja në përdorim e sistemit të komplikuar të votimit për gjashtë republikat dhe e të drejtës për veto përmes konsensusit, në vitin 1974. Një sistem aq i komplikuar i vendimmarrjes e paralizoi ish-Jugosllavinë dhe e shfaqi separatizmin.

Megjithatë, jeta nuk ishte e lehtë për ata që e kundërshtonin Titon, përkundër kujtimit të pupurtë të miliona njerëzve në rajon. Aleksa Djilas (57) është shkrimtar dhe sociolog beogradas. Sipas tij, Tito ishte “njeri i fortë, me dashuri të madhe për pushtet, pra një produkt i rrethanave të pasluftës”.

Djilas pohon se kulti i personalitetit në vend ndihmoi në krijimin “e kultit të Titos edhe jashtë vendit”. Djilas është i biri i disidentit më të njohur jugosllav, Milovan Djilas, i cili kaloi shumë vjet në burg për shkak të kritikave ndaj diktatorit komunist. Milovan Djilas ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërm të Titos gjatë Luftës së Dytë Botërore, derisa nuk ra nga ‘mali’ në vitet e 50’a.

"Por, Tito ishte një diktator vegjetarian. Spastrimet nuk ishin të përgjakshme; njerëzit ndërroheshin dhe harroheshin, e kjo me qëllim që ai të mbetej në pushtet”, thotë Aleksa Djilas, i cili po ashtu i kaloi disa vjet në burg. Sipas tij, megjithatë duhen pranuar disa merita që erdhën si rjedhojë e erës së Titos, si e drejta sociale dhe pjesëmarrja e punëtorëve në vendimmarrje.

Por shumë ish-jugosllavë nuk shkojnë aq thellë me kujtimet e tyre për Titon. Për të moshuarit, ekspozitat muzeale për Titon janë një mundësi për kujtimin e rinisë. Për të rinjtë, e tëra “duket si një udhëtim nëpër kohë”, siç tha studentja beogradase Marina Jankovic (22), në një ekspozitë të tillë.

"Ende s’e kam të qartë se si dukej jeta gjatë kohës së tij. Nganjëherë mendoj se tregimet që i dëgjoj nga gjyshërit janë vetëm kujtimet e tyre për një rini të ëmbël”, theksoi ajo.
Shtuar më 04/05/2010, ora 02:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori