A është në fakt konflikti Rusi-Ukrainë Lufta e Tretë Botërore?

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi i Rusisë ka pasoja globale, megjithatë vendet joperëndimore mbeten nguruese për të marrë anë në këtë luftë. Dhe këtu ndikojnë interesat ekonomike, ato që perceptohen si standardet e dyfishta të Perëndimit dhe narrativat e Moskës.

Thorsten Benner, bashkëthemelues dhe drejtor i Institutit Global të Politikave Publike (GPPI):

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një luftë rajonale por me pasoja globale. Në betejën për opinionin global, “Perëndimi” po dështon të bëjë për vete shumë nga grupet e ndryshme të kombeve të etiketuara si “Jugu Global”. Ndërkaq, edhe tek shumë vende që votuan në favor të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dëgjohen me dashamirësi narrativat mbi luftën që po propagandohen nga Rusia dhe aleatja e saj Kina.

Kjo nuk duhet të cilësohet si ndonjë befasi, sepse vendet i bashkon një gjë: pikëpamja se “Perëndimi” dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë pak besueshmëri. Në secilin rast kemi të bëjmë me një përzierje e ndryshme ideologjie, interesash ekonomike, varësish, shqetësimesh gjeopolitike dhe refuzimin në tërësi të sanksioneve si një instrument që i nxit ata të mos kritikojnë por as të marrin anën e Rusisë.

Indinjata morale nuk është një përgjigje shumë efektive. Përkundrazi, evropianët duhet të investojnë më shumë për t’u përballur me pasojat ekonomike globale të luftës së Rusisë dhe për t’iu kundërvënë më mirë propagandës ruse dhe kineze. Në vend se ta inkuadrojnë luftën si një betejë të demokracisë kundër autokracisë, ata duhet të kenë prioritet mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial kundër imperializmit dhe kolonializmit rus. Evropianët do të jenë më bindës nëse do të jenë vetë-kritikë ndaj historisë së tyre.

Marta Dassù, këshilltare e lartë për Evropën në Institutin ASPEN:

Jo, kjo nuk është një luftë globale. Sepse shumë nga të ashtuquajturat vende neutrale, përfshirë Indinë dhe Afrikën e Jugut, nuk e shohin atë si luftën “e tyre, por më tepër si

një luftë midis Rusisë dhe Perëndimit që po zhvillohet në Ukrainë. Gjithsesi, disa nga pasojat e tij janë realisht globale: siguria e ushqimit dhe ajo energjisë, si dhe e ardhmja e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ajo që mund ta kthejë pushtimin rus të Ukrainës në një luftë globale është Kina. Në rast se Pekini do të ndërhynte me dërgimin e armëve të tij në Rusi, atëherë konflikti aktual do të shndërrohej në një test force midis demokracive perëndimore dhe autokracive kryesore.

Për momentin, kjo nuk po ndodh dhe mbetet e pamundur, duke pasur parasysh rëndësinë që i kushton Kina marrëdhënieve të saj me ekonomitë perëndimore.

Një faktor shtesë që kufizon potencialin e përhapjes së kësaj lufte: shumica e anëtarëve të “Jugut Global” nuk e shohin Rusinë si të rëndësishme dhe mjaftueshëm të fuqishme për të justifikuar format klasike të “balancimit”. Me pak fjalë, lufta në Ukrainë nuk është Lufta e Tretë Botërore dhe ka arsye të mjaftueshme për të menduar se nuk do të evoluojë në atë.

Nicholas Karides, drejtor i institutit për masmedian në Fondacionin Universitas, Qipro”

Po dhe jo vetëm për sa i përket angazhimit në rritje të palëve të jashtme të konfliktit, apo shtrirjes dhe pasojave të vetë luftës, por për një faktor kyç që dëmton pjesë të globit shpeshherë pa dijeninë e tyre: luftën globale të informacionit. Lufta po zhvillohet në terren, ku njerëzit po vdesin dhe po shpërngulen.

Por po luftohet pa pushim edhe në mediat tona. Shumë kohë përpara hyrjes së trupave ruse në Ukrainë, shumë kohë përpara se të aneksohej Krimea, Rusia me pamëshirshmërinë e zakonshme ushtarake e hutoi dhe e ndau opinionin publik në mbarë botën. Ajo depërtoi me një saktësi kirurgjikale në platformat e teknologjisë që janë në pronësi të Perëndimit.

Mercenarët e saj kibernetikë hakeruan postat eleketroike nga ku vëzhguan dhe shënjestruan marrjen e informacionit të globit, duke mbytur dhe shtypur me propagandë dhe zhurmë çdo rezistencë në sheshet e informacionit publik të planetit. Platformat u treguan të paafta dhe shpesh nuk ishin të gatshme të kapnin sulmet shtrembëruese të Kremlinit.

Shumë përpara se Ukraina të bënte thirrje për dërgimin e tankeve, studiuesit dhe ekspertët kishin bërë thirrje për verifikimin e fakteve në platformat e mëdha të teknologjisë. Është një luftë globale, sepse pikëpamjet e përafërta të Rusisë tani janë të ngulitura në të gjithë botën, duke e bllokuar të gjithë sferën tonë të informacionit.

Andrei Kolesnikov, bashkëpunëtor i lartë në “Carnegie Endowment for International Peace”:

Ajo që po ndodh është një konflikt global. Kjo jo sepse vetë Putin e shpalli pushtimin e Ukrainës një luftë mbrojtëse kundër Perëndimit. Por sepse lufta e Putinit e shkatërroi rendin botëror, pra rregullat që ishin zbatuar për dekada. Po ashtu ajo shkatërroi arritjet e vetë Rusisë me hyrjen në klubin e vendeve të qytetëruara. Gjithçka që ishte ndërtuar prej vitesh u shemb brenda një dite.

Ky konflikt është aq i gjerë sa që po ndryshon jo vetëm tregtinë, ekonominë, logjistikën dhe politikën, por edhe psikologjinë dhe antropologjinë e kombeve të tëra. Ukrainasit e kanë fituar identitetin e tyre, atë evropian teksa po neveritin gjithçka që është ruse.

Rusët – jo të gjithë, por shumë prej tyre – që po i kthehen imperializmit arkaik për nga kultura politike dhe amoraliteti. Ata nuk e kanë gjetur identitetin e tyre, përkundrazi e kanë humbur atë. Rusia është aq domethënëse, sa që ky proces ka kuptim global dhe prek të gjithë botën, qëndrimet dhe sjelljet e saj. Dhe ky konflikt tregon gjithashtu se kush është pro humanizmit, kush është i gatshëm të përfitojë nga lufta apo të bëjë kompromise, sepse për disa arsye këto vende kanë nevojë për një marrëdhënie të mirë me Putinin.

Martin Plaut, studiues në Institutin e Studimeve të Komonuelthit të Universitetit të Londrës:

Lufta e Ukrainës nuk është një luftë globale, por është e qartë se ajo ka pasoja globale. Për shumë njerëz – sidomos në Jugun Global – çështje të tjera, përfshirë ndryshimin e klimës dhe konfliktet e tyre, janë shumë më të rëndësishme. Për këtë arsye ata nuk duan që t’u “kërkohet të marrin anë”, pavarësisht se kanë nënshkruar Kartën e OKB-së, e cila kërkon nga të gjithë anëtarët të mbrojnë integritetin territorial të të gjitha kombeve.

Përtej kësaj, përgjigja e tyre pasqyron përdorimin gjithnjë e më efektiv të fuqisë së butë nga Kina dhe Rusia, si dhe fuqinë e fortë të ushtruar nga të dyja shtetet ose nëpërmjet Grupit mercenar Vagner ose përmes zgjerimit territorial, siç po shihet në Tajvan. Kjo është një pyetje shumë komplekse, së cilës nuk mund t’i përgjigjesh lehtë me një po ose jo. /albeu.com

Marrë me shkurtime

 


Shtuar 3.03.2023 13:43