Manastirliu thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për korrupsionin dhe arrestimin e “dyshit” të ministrisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka reaguar për herë të parë në lidhje me arrestimin e 2 zyrtarëve të dikasterit në ajo drejton, të cilat ranë në pranë pasi abuzuan për një tender për rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore.

Reagimin Manastirliu e bëri në Kuvend, ku dënoi ngjarjen, por theksoi se përgjigjësia është personale.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi pasur, kemi dhe do të kemi për çdo rast në shkelje të ligjit. Në çdo rast të shpërdorimit të saj. Cilido që shkel këto parime, duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Ky ka qenë qëndrimi dhe bindja ime që nga dita e parë që kam marrë përsipër të shërbeje në funksione publike. Është ngjarje e trishtë dhe e rëndë. Organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, rasti duhet të hetohet deri në fund. Nëse del siç janë dyshimet, të përballet me pasojat e ligjit. Çdo person që merr detyrën, merr automatikisht përgjegjësinë para ligjit. Përgjegjësia është individuale. Kjo është arsyeja se pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi.

Kemi zgjedhur një rrugë që s’ka kthim pas dhe që para ligjit të përgjigjemi njësoj. E di që djathtas e keni të vështirë që ta kuptoni se kush shkelte ligjin atëherë, e merrnit në mbrojtje. Kur prokuroria vepronte, i hidheshit në fyt, i shpallnit luftë dhe i vinit epitete të turpshme drejtuesve. Ju nuk e kuptoni dot qëndrimin tim. Të gjithë të barabartë para ligjit. Ky është qëndrimi im. Ju doni ta vërtisni këtë çështje politikisht.”, tha ajo.

Tenderi me të cilin abuzuan dy zyrtaret, Joana Duro dhe Laura Sheto

Sipas njoftimit të SPAK, Joana Duron u arrestua për korrupsion. Ajo u kap në flagrancë me 350 mijë lekë të reja që do t’i jepeshin nga Laura Shetos në formë rryshfeti në emër të një operatori ekonomik për të fituar tenderin me objekt “Loti 1:“Supervizim për rikonstruksionin e disa QSH- ve në qarqet Tiranë dhe Durrës”.

AlbEu konsultoi të dhënat e tenderit dhe zbulon së bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-68807-05-09-2023 me vlerë totale 805,872.23 Lekë. Sipas të dhënave, kompania fituese do të mbikëqyrte ecurinë e punimeve gjatë rikonstruksionit të disa Qendrave Shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.