“Me çfarë erdhët në punë sot?”, gazetarja zë ngushtë Ahmetajn, ministri shmang përgjigjen: Jemi në krizë

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Arben Ahmetaj ka dalë para mediave duke njoftuar vendimet e marra. I pyetur nga gazetarët se a ka qeveria plan konkret se kur do pushojë së funksionuari Bordi i Transparencës, ai tha:

“Qeveria punon çdo ditë, sot morëm detyra, Nëse do hapja bllokun tim janë mbi 20 e ca detyra që dha Rama për ndjekjen, përballimin dhe hartimin e krizës. Është një krizë e shkaktuar nga njeriu, qeveria do vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentat e duhura që të frenojë rritjen abuzive të çmimeve”.

Një pyetje tjetër drejtuar ministrit ishte se me çfarë kishte ardhur në punë sot, në një kohë kur jemi në krizë dhe një litër naftë kushton 258 lekë.

Ahetaj iu shmang përgjigjes duke thënë: “Nëse keni interes për çfarë bëjnë qytetarët, dua të ndaj me ju se qeveria ka menduar para disa muajsh për ato paketa që sot janë në funksion, nëse unë ju them se Shqipëria e ka inflacionin më pak se të tjerët. Kjo ka të bëjë me mbështetjen që ka ardhur nga qeveria. E vlerësoj pyetjen, por asnjëri nuk afrohet tek 6.2, të gjithë e kanë më të lartë. Është një krizë globale, sigurisht që në këtë fazë kur gjithë kriza e preson tregun, ne jemi të hapur dhe kemi dhe pasojat e të gjithë asaj krize. Është një krizë që nuk pushon sot, qeveria mbi të gjitha hap pas hapi e ka bërë planin”.


Shtuar 9.06.2022 10:14