Tensionet Prishtinë-Beograd, SHBA-ja i tregon vendin Serbisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke përkrahur veprimin e institucioneve të Kosovës për ta parandaluar futjen e trenit ilegal serb.

J. Michelle Schohn, zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ka thënë për "Kohën Ditore" se e respektojnë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë kufijtë e vet.

"SHBA-ja ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur që nga viti 2008 dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çfare kalon nëpër kufijtë e saj.

Na vjen mirë që mbrëmë nuk kishte konfrontime në kufi", ka thënë Schohn.

Ajo ka shtuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e moderuar nga BE-ja "si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë".

Së fundi janë rritur zërat që thonë se obstruksionet e Serbisë vijnë pas ndryshimeve në administratën e SHBA-së, ku serbët llogarisin në përkrahjen e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

E pyetur për mundësinë e ndryshimit të kursit amerikan në raport me Kosovën, me ardhjen e Trumpit, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë ka përmendur vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan.

"Politika e SHBA-së lidhur me Ballkanin në dy dekadat e fundit ka qenë relativisht konsistente pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi parë asnjë indikacion se kjo do të ndryshojë", ka thënë Schohn. /albeu.com/

Shtuar më 16/01/2017, ora 08:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori