Tensionet mes Kroacisë dhe Sllovenisë, tri incidente në Gjirin e Piranit
Në gjirin e Piranit pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë kanë ndodhur tri incidente.

Teksa pala sllovene ka kërkuar që Kroacia t’i bindet vendimet të Arbitrazhit, Zagrebi zyrtar përsëritë se një vendim i tillë nuk ka kurrfarë rëndësie.

Lubjana zyrtare, me aktgjykimin e Arbitrazhit ka marrë tri të katërtat e gjirit të Piranit, si dhe korridorin deri në detin e hapur.

Vetëm dy ditë pas vendimit, Ministria kroate e Punëve të Brendshme ka evidentuar tri raste të cenimit të demarkacionit në det.

Thuhet se është kapur një anije policore sllovene, e cila është paralajmëruar që urgjentisht të largohet nga ujërat e Kroacisë.
“Kujtojmë se para arritjes së anijes policore kroate, anija policore sllovene, në kalim e sipër, pa u ndaluar fare, ka paralajmëruar anijen kroate që kapte peshq se ndodhet në detin territorial slloven”, thekson MPB e Kroacisë.

Dy incidente identike janë shënuar pas kësaj ngjarje, po ashtu me peshkatarë kroatë.

Ka vite të tëra që Kroacia dhe Sllovenia nuk po arrijnë të shënojnë demarkacionin ndërmjet tyre, kurse së fundi Gjykata e Arbitrazhit e ka sjellë aktgjykimin, por as ky vendim nuk ka sjellë qetësi dhe zbatim të marrëveshjes.

Sipas aktgjykimit të publikuar dy ditë më parë nga Gjykata e Arbitrazhit në Hagë, Sllovenia ka fituar tri të katërtat e Gjirit të Piranit, por nuk ka fituar dalje në ujërat ndërkombëtare, megjithatë ka një shteg përmes pjesës së detit kroat. /albeu.com/
Shtuar më 01/07/2017, ora 21:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori