Tension në det, grekët hapin zjarr 16 herë ndaj anijes turke
Një anije mallrash me flamurin turk është qëlluar me armë nga roja bregdetare greke në Detin Egje, sipas televizonit turk NTV.

Anija e mallrave ishte ngarkuar në portin turk të “Iskenderun” dhe po vazhdonte në drejtim të gjirit të Izmitit.

Gjatë udhëtimit në Detin Egje, ju afrua roja bregdetare greke, të cilët i kërkuan që të shkonin për inspektim në portin e ishullit grek të Rodosit.

Kapiteni turk injoroi këtë thirrje të autoriteteve greke, duke bërë që rojet bregdetare të Greqisë të hapnin zjarr.
Plot 16 herë qëlluan me armë anijen e mallrave. Sipas mediave turke, nuk ka raportime për të plagosur apo të vdekur.

Pas të shtënave, dy anije të rojes bregdetare turke shkuan në vendngjarje. Kapiteni i anijes tha se vrimat e shkaktuara nga plumbat nuk përbëjnë rrezik për fundosjen e saj.

Kapiteni Sami Kalkavan i tha CNN Turk se roja bregdetare greke i kërkoi që të hynte në port kur anija po kalonte Rodhosin. “Ne u thamë se nuk do të hynim. Ata na thanë që do të qëllonin nëse nuk ndalojmë. Dhe atë bënë”, u shpreh kapiteni turk i anijes së mallrave.

Pas incidentit që ndodhi mes rojës bregdetare të Greqisë dhe një anije turke mallrash, Turqia ka dërguar tre anije pranë brigjeve të ishullit të Rodhosit, sipas agjencisë turke të lajmeve “Anadolu”.

Ndërsa zyra e Rojes Bregdetare të Greqisë ka reaguar zyrtarisht pas incidentit që ndodhi në Detin Egje me një anije mallrash turke.
Sipas njoftimit të autoriteteve greke, anija turke kishte hyrë në ujërat territoriale të Greqisë dhe nuk ju bind urdhrit për të ndaluar. Për këtë arsye, roja bregdetare greke qëlloi me armë.

Ajo sqaron se Autoriteti Portual kishte marrë një telefonatë anonime në mesditë se një anije me flamur të Turqisë që udhëtonte në lindje të ishullit të Rodhosit, kishte drogë në bord. Menjëherë drejt saj u nisën anijet e rojes bregdetare greke, të cilat i kërkuan anijes turke të shkonte për kontroll në portin e Rodosit.

Anija e mallrave injoroi thirrjen e tyre, duke e detyruar palën greke që të qëllonte me armë. Nga të shtënat nuk pati asnjë të lënduar apo dëme në anije. Për incidentin në det, Roja Bregdetare Greke njoftoi autoritetet kompetente turke. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 20:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori