Ted Kenedi, i fundmit i titanëve
Albeu.com
"I mbijetuari" i vëllezërve tragjikë, që kërkonin ta bënin Amerikën një vend të ri e të bukur. Cila është magjia e Kenedve, njerëzve që kanë një ndikim aq të madh në psikikën e amerikanëve?Sëmundja e të fundmit të një dinastie titanësh, Ted Kenedit, shënon kapitullin përmbyllës të sagës së mrekullueshme e tragjike të "djemve Kenedi". Jeta dhe trashëgimia e tyre mbetet edhe sot një ideal


Thuhet se Kenedët nuk janë më të rëndësishëm dhe për të kujtuar epokën e artë kur Xhon Kenedi ishte mbret dhe Amerika ishte e re, e bukur dhe plot ëndrra premtuese, duhet ose të jesh shumë plak, ose të kesh një kujtesë të shkëlqyer. Por ndoshta kjo nuk është e saktë, pasi vëmendja që iu dha sëmundjes së të fundmit të fisit, Ted Kenedit, që javën e kaluar pati një problem shëndetësor, ishte më e madhe nga sa pritej. Shkaku: Kenedët vazhdojnë të jenë të rëndësishëm. Bëhej fjalë për një shtrim në spital të titanit demokrat, i cili pati një problem me zemrën. Çuditërisht lajmi u dha në të gjitha faqet e para të gazetave kryesore amerikane, krahas lajmit të rritjes së çmimit të naftës. Në njëfarë mënyre duket sikur Amerika po përgatitet për aktin e katërt dhe final të tragjedisë që nisi në Dallas më 22 nëntor të vitit 1963 me vrasjen e të parit e më të fuqishmit të fisit me origjinë irlandeze, Xhon Kenedi. Pesë vjet më vonë, Robert Kenedi u qëllua me armë, ndërsa tentonte të zëvendësonte vëllain e tij në Shtëpinë e Bardhë. Më pas, në vitin 1999, djali i vetëm i Presidentit të vrarë, Xhon Kenedi i riu, ndërroi jetë në një aksident me avion. Mjeti fluturues me të cilin ai po udhëtonte së bashku me të shoqen u përplas në një shkëmb dhe përfundoi në det. Tani, i fundmi i titanëve, senatori demokrat Ted, ndoshta është në largim e sipër. Po cila është magjia e Kenedve dhe ndikimi i tyre i jashtëzakonshëm në psikikën e një kombi të tërë, një fis i fuqishëm, por edhe fatkeq njëherazi? Një herë e një kohë ata ishin në prag të shndërrimit në një dinasti qeverisëse. Por pas fatkeqësive që pasuan, për sa i përket pushtetit real politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata u zëvendësuan nga fiset e Bushëve dhe Klintonëve. Megjithatë, deri këtu bëhet fjalë për një realitet, ndërkohë që imagjinata është diçka tjetër, të paktën njëherazi e fuqishme dhe mbresëlënëse. Ajo është historia e ndërthurjes së famës e pushtetit në një melodramë bukuroshësh të mallkuar. Kenedët nuk është se janë zhdukur. Trashëgimtarët e tyre janë të shpërndarë lart e poshtë nëpër institucionet e politikës amerikane, por duket se asnjëri prej tyre nuk ka as shijen e as talentin për të marrë përsipër ndërmarrje të mëdha. Megjithatë, edhe këta pinjollë nuk janë kursyer nga fati i keq, ose siç quhet ndryshe "mallkimi i Kenedve". Dikush është aksidentuar me makinë, një tjetër ka pasur probleme me pijen apo femrat, dikush edhe është vrarë. Por Ted Kenedi është i fundmi i vëllezërve, i fundmi i një linje të caktuar, person me të vërtetë i rëndësishëm i dinastisë. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin se ai është një Kenedi, por edhe sepse, me përjashtimin e Hilari Klintonit, është senatori demokrat më i njohur dhe më me pushtet. Historia e tij është një histori dhjetëvjeçarësh. Mbështetja që Ted i bëri Barak Obamës kohë më parë ishte një tregues i qartë humbjeje për Hilarinë. Por efekti më i rëndësishëm që Ted përcolli te zgjedhësit duke bërë një veprim të tillë ishte veshja e kandidatit me ngjyrë me magjinë e dinastisë së nëmur. Në njëfarë mënyre ata e shpallën Obamën vazhdues të asaj çka ata përfaqësonin në të shkuarën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse Obama do të fitojë garën dhe Ted do të jetë ende i fortë me shëndet, Presidenti i ri dhe titani plak do të përbëjnë një dyshe të pathyeshme në Uashington. Në fillimet e dinastisë, të paktë kanë qenë ata që mund ta kenë imagjinuar rrjedhën që mori jeta dhe karriera e Tedit. Kur ai u shfaq për herë të parë në skenë ishte shumë i parëndësishëm dhe i paanshëm në krahasim me vëllezërit e tij të famshëm, Xhek dhe Bobi. Kur fitoi Shtëpinë e Bardhë, Xhek duhet që të jepte dorëheqjen nga vendi në Senat, por familja e fuqishme e mbajti atë vend "të ngrohtë" për Tedin. Në vitin 1962 ai u zgjodh senator në moshën e re 30-vjeçare. Prej Tedit, si dhe prej vëllezërve të tij, priteshin ndërmarrje të mëdha dhe të suksesshme. Megjithatë, për shumë kohë Ted ishte vetëm djaloshi i ri i Kenedve dhe sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet tragjike të familjes së tij, ai ndoshta do të kishte vazhduar të qëndronte nën hijen e vëllezërve të fuqishëm. Por ngjarjet rrodhën ndryshe dhe shpejt e bënë djaloshin një nga pretendentët e mundshëm të "fronit" presidencial. Para zgjedhjeve të vitit 1968 ai u mendua mirë që të ndërmerrte hapin e rëndësishëm, por më pas konkludoi se ishte ende i ri, vetëm 36 vjeç, një vit më shumë nga minimumi i moshës i kërkuar për kandidimin presidencial. Më pas vjen rasti fatkeq i incidentit të mbytjes së një mikeshës së tij, për të cilën ai ishte pjesërisht fajtor. Pas këtij rasti mori një dënim me burg për dy muaj, i cili nuk u ekzekutua kurrë. Por ndërkohë ëndrra e tij për Shtëpinë e Bardhë u tret tutje për disa vjet të mirë. Në vitin 1980, demokratët ndodheshin në vështirësi dhe Ted më në fund mundi të realizonte ëndrrën e kandidimit, por ajo do të shndërrohej në një dështim që në hapat e parë. Në intervistën hapëse të fushatës ai nuk u tregua aspak bindës në lidhje me arsyet që e shtynin për të kandiduar. Më pas ai fitoi edhe shumë kandidime të tjera, por asnjëherë nuk konkludoi. Për disa kohë të gjithë menduan se shpresat e Kenedve për të riardhur në pushtet ishin zbehur më shumë se kurrë. Në fakt, për Tedin vetë përfundimi i këtyre aventurave presidenciale ishte një çlirim i madh. Ai iu përkushtua tërësisht punës së tij në Senat dhe përgjatë viteve vendosi një rekord legjislativ të pakrahasueshëm. Djaloshi, të cilit jeta i kishte ofruar çdo gjë të mirë që mund të dëshirojë një njeri: pamje, para, pushtet lidhje, në vend që të sorollatej si shumë të tjerë të sërës së tij, vendosi që fuqitë që kishte t‘i vinte në shërbim të atyre që nuk kishin pasur të njëjtin fat të mbrothtë si ai. Gjatë punës së tij, ndërsa nuk e harroi kurrë objektivin kryesor, ai nisi ta kuptonte më mirë se kolegët e tij se ndonjëherë edhe kundërshtarët politikë, në këtë rast republikanët, mund të bëheshin aleatë të dobishëm. Njëherazi ai mësoi dhe u bind se në politikë, si edhe kudo tjetër, mjetet janë shumë të rëndësishme për të arritur qëllimet. Ai e kuptoi rëndësinë e dhënies dhe marrjes së favoreve dhe mbi të gjitha rëndësinë e artit jetësor të kompromisit dhe diplomacisë. Në një vend plot vështirësi, nga më të ndryshmet, si Kongresi amerikan, Kenedi mësoi se nëse do të arrinte ndonjëherë 70% të asaj që kërkonte, duhej ta konsideronte fitore të madhe. Ai e shihte dhe e sheh se të varfrit dhe njerëzit me halle nuk kanë më njerëz të zotë për t‘i mbrojtur në politikën amerikane, ndaj Kenedi në çdo rast është i gatshëm që të bëjë kompromise. Një nga aleatët e tij më të afërt është Orrin Hatch, i njohur mirë si senatori krenar dhe guximtar nga Utah. Ai ka punuar edhe me John MekKein për çështjen e reformës së emigracionit një vit më parë në Kongresin amerikan. Në kuadrin e kompromiseve Kenedi dhe Hatch kanë bashkëpunuar madje edhe me Bushin, por më shumë dhe kryesisht gjatë mandati të tij të parë presidenciale. Kenedi ishte ndërkohë një nga 23 senatorët demokratë që votuan kundër autorizimit të Bushit për të nisur luftën në Irak në tetor të vitit 2002. Në shtator të vitit 2003, 6 muaj pas pushtimit, ai e quajti luftën një "mashtrim të gatuar në kuzhinën e Teksasit" dhe "gjuha" e tij, në lidhje me atë që ai e cilëson si "Vietnami i Bushit", sa ka ardhur dhe është ashpërsuar gjithnjë e më tepër. Por kjo nuk e ka penguar që të bashkëpunojë me republikanët për çështje të ndryshme të rëndësishme për vendin. Madje në këtë kuadër bashkëpunimi, MekKein, kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale, e ka cilësuar Kenedin si anëtarin më të efektshëm të Senatit amerikan". Për sa i përket të ardhmes së këtij "luftëtari të paqes", ajo nuk është shumë e qartë. Shumë pacientë të moshës së tij të diagnostikuar me gliomë, një lloj tumori në tru, nuk jetojnë më shumë se 18 muaj. Pas marrjes së një kure intensive në spital, Kenedi ka premtuar se do të dalë në punë që pas një periudhe shumë të shkurtër konvaleshence. Megjithatë duket se epoka e Tedit ndodhet në fundin e saj të pashmangshëm. Ky mandat i tij në Senat, që do të zgjasë deri në vitin 2012, do të jetë mandati i tij i fundit. Ai është një nga tre senatorët amerikanë që ka hedhur mbi 15 mijë vota. Një ndër të paktët që e superon Kenedin është 90-vjeçari Robert Byrd, i cili ka kaluar plot 50 vjet në shërbim të Senatit amerikan. Teksa e vizitoi Tedin në spital, senatori i moçëm derdhi lot për kolegun e tij, duke i thënë atij: "Ted, Ted miku im i mirë, të dua shumë dhe na mungon të gjithëve". Janë fjalë të thëna nga senatori më i moçëm, por me të cilat të gjithë kolegët e tjerë janë dakord. Borxhi që i ka Barak Obama Tedit është shumë i madh, por nëse Ted do të tërhiqet nga detyra muajt e ardhshëm, ai që do ta vuajë më shumë mungesën e tij do të jetë John Mekkein, nëse do të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të detyrohet të ketë marrëdhënie me një Kongres të ri që nuk do të ketë në gjirin e tij anëtarë të staturës së Kenedit. Ndikimi i Kenedit në jetën e vendit është shumë i dukshëm. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për të dalluar dhe për të mbështetur njerëzit e zotë dhe të mirë njëherazi. Kështu ka pasur gjithmonë rreth vetes një staf njerëzisht të jashtëzakonshëm. Dhe jo vetëm në stafin e tij të ngushtë, por ai ka vendosur njerëz të tillë në shumë institucione të rëndësishme të legjislativit amerikan. Kenedi sigurisht, si çdo qenie njerëzore, nuk ishte i pamëkatë, por mbijetesa e tij e denjë, pas një zinxhiri fatkeqësish, e bëjnë atë një legjendë të vërtetë në botën e politikës amerikane. Legjenda e vërtetë nuk është Tedi, por ajo çka mund të kishte qenë Amerika sikur tragjeditë të mos kishin tronditur fisin e irlandezëve guximtarë. Janë shkruar libra pa fund mbi atë çka mund të kishin qenë Shtetet e Bashkuara nëse djemtë e Kenedve do të kishin jetuar. Një njëfarë mënyre, Ted me jetën e tij, çuditërisht të gjatë, përbën një përjashtim nga rregulli i fatkeqësive të kësaj familjeje dhe me jetën e tij ai tregon se një ëndërr, sado që mund të goditet, mund të mbijetojë dhe të triumfojë. Ai do të mbahet mend si një nga gjigandët e ligjeve amerikane, si njeriu që bëri më shumë se kushdo tjetër për të përmirësuar jetën e amerikanëve të thjeshtë, të atyre që ishin të pambrojtur dhe të varfër. 28 vjet më parë, Kenedi mbajti një fjalim të paharruar ndërsa përgatitej të kandidonte për President. "Kauzat mbijetojnë, shpresa ende jeton dhe ëndrra nuk do të vdesë kurrë", tha Kenedi para një audience që e dëgjonte me lot në sy. Fjalët e tij ishin njëherazi një epitaf për ëndrrën e tij për Shtëpinë e Bardhë, një elegji për vëllezërit e vrarë dhe mbi të gjitha ishin një premtim për të ardhmen. Premtim që Tedi e mbajti. (shqip)
Shtuar më 24/05/2008, ora 18:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori