Gjermania lehtëson hyrjen në vend për deri në 60 mijë profesionistë nga Ballkani, përfshirë edhe Shqipërinë

Gjermania prezantoi sot draft-reformat për imigracionin dhe promovimin e imigracionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të mbushur mungesën e fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Evropës.

Një nga vendimet është edhe zgjatja e rregullores për punëkërkuesit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Sebia dhe Mali i Zi, shkruan Reuters.

Reformat synojnë që të rrafshojnë pengesat kryesore për migrantët në Gjermani, në veçanti për ata që vijnë nga jashtë BE-së.

Reuters shkruan se reforma mund ta rrisë numrin e punëtorëve nga shtetet që nuk janë pjesë e BE-së në 60 mijë në vit.

Reforma i ofron punëtorëve të huaj tri rrugë për të hyrë në vend.

E para kërkon diplomë profesionale ose universitare të njohur në Gjermani dhe kontratë punë.

E dyta kërkon së paku 2 vjet përvojë pune në sektorin përkatës ose diplomim ose formim profesional.

Ndërsa e treta është një “kartë mundësie” për individë që nuk kanë oferta punë por kanë potencial të gjejnë punë.
Kabineti miratoi gjithashtu edhe një ligj të arsimit që u jep të drejta të rinjve për trajnime pa pagesë.

Agjencia Federale e Punës në Gjermani do të paguajë deri në 67% të pagës neto për kohëzgjatjen e trajnimit.
Gjithashtu, kabineti ka vendosur që t’i zgjasë rregulloret për punëkërkuesit nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat më parë pritej të përfundonin në fund të vitit.
Gjermania do të jetë në gjendje të rekrutojë deri në 60 mijë punëtorë në vit nga këto shtete./albeu.com/


Shtuar 29.03.2023 15:50