Ukraina thirrje Perëndimit: Mos krijoni panik për ne

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos krijojë panik mes ngritjes së trupave ruse në kufijtë e vendit të tij.

Ai tha para gazetarëve se, paralajmërimet për një pushtim të afërt po e rrezikonin ekonominë e Ukrainës.

Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha se besonte se Rusia mund të sulmonte fqinjin e saj muajin e ardhshëm.

Rusia, megjithatë, mohon se po planifikon të pushtojë dhe të premten ministri i saj i jashtëm tha se Moska nuk dëshiron luftë.

Ndërsa Rusia ka rreth 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës, Zelensky tha se ai nuk sheh një kërcënim më të madh tani sesa gjatë një grumbullimi të ngjashëm të trupave pranverën e kaluar.

“Ka sinjale edhe nga udhëheqës të respektuar të shteteve, vetëm thonë se nesër do të ketë luftë. Ky është panik, sa kushton për shtetin tonë?” tha ai në konferencën për shtyp në Kiev.

Zelensky kritikoi gjithashtu tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Australisë të familjeve të diplomatëve nga Ukraina, duke thënë se ishte një gabim.

“Destabilizimi i situatës brenda vendit” është kërcënimi më i madh për Ukrainën, tha ai.

SHBA-ja ka refuzuar një kërkesë kyçe të Moskës që NATO të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën e mbrojtjes, por këmbënguli se ajo po i ofronte Rusisë një “rrugë serioze diplomatike”.

Presidenti rus Vladimir Putin më vonë akuzoi Perëndimin për injorimin e shqetësimeve të sigurisë së Rusisë.

Por ai tha se do të studionte përgjigjen e SHBA-së përpara se të vendoste se çfarë të bënte.

Franca tha se të dy liderët kishin rënë dakord për nevojën e de-përshkallëzimit dhe presidenti i saj Emmanuel Macron i tha zotit Putin se Rusia duhet të respektojë sovranitetin e shteteve të saj fqinje./albeu.com

 


Shtuar 28.01.2022 21:16