Hap zjarr në sallën e gjyqit, mes katër viktimave një gjykatës dhe një avokat (FOTO LAJM)

Update- Një ngjarje e rëndë ka terrorizuar sot Italinë, ku një i pandehur ka shtënë me armë zjarri në sallën e gjyqit, duke vrarë katër persona, mes tyre edhe një gjyqtar dhe një avokat.

Viktima është gjykatësi Fernando Ciampi. Ai mbeti i vdekur pas të shtënave të Claudio Giardiello. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave dy nga viktimat janë një gjykatës dhe një avokat, ndërkohë që raportohet edhe për një person tjetër të plagosur.

Avokati i vrarë, Lorenzo Alberto Claris Appiazni, 37 vjeç, ishte përfaqësuesi ligjor i agresorit. Kur ai ka deklaruar se nuk do e mbronte më klientin e tij, i pandehuri e qëlloi atë.

12:50- Tronditet Milano, mes tre viktimave një gjyqtar

Tre të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një sulmi me armë në Pallatin e Drejtësisë në Milano.

Personi që ka hapur zjarr eshte Claudio Giardiello, ku sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, ai ndodhej në ambjentet e gjykatës. Dy nga viktimat mësohet se janë një gjykatës dhe një dëshmitar, ndërkohë që raportohet edhe për një person të plagosur.

Edhe pse godina u rrethua dhe të gjitha dyert e saj u mbyllën, autori arriti të dilte prej andej dhe të largohej me një motor, por ngritja e postoblloqeve e ka penguar që të shkonte gjatë.

Personi në fjalë, sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, është një shtetas italian i akuzuar për krime ekonomike. Sipas rrëfimeve të avokatëve të pranishëm në sallën e gjyqit, ai hapi zjarr pasi avokati i tij mbrojtës hoqi dorë nga mandati.

Ai qëlloi fillimisht dëshmitarin, dy persona të ulur në stolat e rezervuar për publikun dhe më pas vrapoi jashtë sallës, duke ndjekur gjyqtarin dhe duke e qëlluar atë në katin e dytë të ndërtesës.

11:55- Viktima dhe të plagosur gjatë të shtënave brënda gjykatës në Milano

Viktima dhe të plagosur janë raportuar pas të shtënave në Pallatin e Drejtësisë në Milano. Për kapjen e autorit aktualisht po zhvillohet një operacion nga ana e policisë.

Në orët e para të ditës, të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar në selinë e Pallatit të Drejtësisë në Milano të Italisë. Në godinë ndodhen forcat e rendit, të cilave po u vijnë përforcime nga komisariatet përreth, ndërkohë që flitet për dy persona të vdekur dhe një të plagosur.

"Të shtënat janë dëgjuar nga persona të shumtë të pranishëm në korridoret e ndërtesës", bëjnë me dije mediat italiane. Sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, personi që ka hapur zjarr, ndodhet ende në ambjentet e gjykatës. Ai është një shtetas italian, i akuzuar për krime ekonomike.

Ndërkaq, në bazë të rrëfimeve të avokatëve të pranishëm në sallën e gjyqit, personi në fjalë ka hapur zjarr pasi avokati i tij mbrojtës ka hequr dorë nga mandati. Ai ka qëlluar fillimisht një dëshmitar dhe më pas dy persona të ulur në stolat në dispozicion të publikut. Sipas “Corriere della Sera”, më pas autori është larguar me shpejtësi nga salla e gjyqit.

11:25- Të shtëna me armë në një gjykatë në Milano, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur

Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci negativ i të shtënave me armë zjarri në një gjykatë në Milano të Italisë. Ngjarja është shënuar ditën e sotme, gjatë një procesi gjyqësor, ndërsa raportohet se janë dëgjuar katër ose pesë të shtëna me armë.

Portali Albeu, duke i'u referuar mediave italiane bën me dije se autori është larguar, e ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. /albeu.com/
Shtuar më 09/04/2015, ora 15:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori