Përplasja tek “Air Albania”, vihen nën hetim 14 tifozë të Tiranës dhe Beshiktashit

Policia ka vënë nën hetim për prishje të qetësisë publike 14 tifozë, të cilët u përplasën me njëri-tjetrin mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”, teksa po luhej ndeshja mes Tiranës dhe Beshiktashit.

Nën hetim janë vënë 10 tifozë turk, një gjerman dhe 3 shqiptarë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Prishën qetësinë publike duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, si dhe dëmtuan 1 automjet, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, procedohen penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadrave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:

-T. K., 30 vjeç, H. A., 30 vjeç, Y. T., 26 vjeç, F. K., 25 vjeç, V. A., 25 vjeç, T. K., 25 vjeç, A. A., 34 vjeç, O. S., 25 vjeç, A. U., 27 vjeç, S. O., 28 vjeç, të gjithë banues në Turqi;

– C. K., 37 vjeç, banues në Gjermani;

– I. P., 22 vjeç, si dhe për dy shtetas të mitur 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, ditën e djeshme, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në rrugën “Abdi Toptani”. Gjatë konfliktit mes këtyre shtetasve, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shtetasit T. A., 28 vjeç, dhe V. M., 47 vjeç.

Gjithashtu, gjatë konfliktit ndërmjet tyre, është dëmtuar 1 automjet i parkuar në parkingun e një hoteli.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 4.08.2023 15:06