Tani, bota ka shtatë mrekullitë e saj të reja
Albeu.com
Nga dita e djeshme, bota ka shtatë mrekulli të reja. Pas një votimi masiv online, finalistët ishin shtatë mrekulli të ndërtuara nga dora e njeriutPas një votimi masiv online, finalistët ishin shtatë mrekulli të ndërtuara nga dora e njeriut: Muri i madh i Kinës, Petra në Jordani, Statuja e Krishtit shpëtimtar në Brazil, Maçu Piçu, në Peru, Piramida e Çikën Itza-s në Meksikë, Koloseumi në Romë dhe
Taxh Mahali në Indi. Sipas organizatorëve, rreth 100 mijë votues kishin shprehur preferencat e tyre online, për plot 21 pretendentë. Votimi në uebsajtin "new7wonders.com", u mbyll të premten mbrëma dhe mbrëmjen e së shtunës, në një ceremoni solemne në Lisbonë, të Portugalisë. Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm yje si Xhenifer Lopez e Çaka Khan, ndërkohë që në rolet e prezantuesve ishin Hillari Suonk dhe Ben Kingslej, të shoqëruar edhe nga ylli i Bollivudit, Bipasha Basu. Pretendentët kryesorë për shtatë mrekullitë e botës, u bënë publike në fillim të qershorit. Kandidati më i vjetër ishte "Stonehenge"-i në Britani, ndërsa pretendentja më e re ishte opera e Sidneit, në Australi. Edhe Statuja e Lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ndër kandidatët në garë. Votimi, që ka filluar që një vit më parë, pothuajse u dyfishua pas rezultateve të qershorit kur organizatorët thanë se ishin hedhur rreth 50 milionë vota. Që të përfshiheshin në listën e pretendentëve, të gjitha strukturat duhej të ishin ndërtuar apo zbuluar, para vitit 2000. E në fakt, të gjitha vendet pretendente janë ndër më të frekuentuarat nga turistët, në botë. Nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë, vetëm një prej tyre ekziston në ditët e sotme, Piramidat e Gizës, në Egjipt. Disa vende, ndërkohë, e kanë mbështetur me entuziazëm fushatën për përcaktimin e shtatë mrekullive të botës moderne. Presidenti brazilian, Luis Injacio Lula da Silva, dhe mbretëresha e Jordanisë, Rania, kanë promovuar aktivisht pretendentët nga vendet e tyre. Por, fushata e mrekullive të reja, nuk është njohur ndërkombëtarisht. Organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka lëshuar një deklaratë në të cilën theksohet se ajo nuk ka asnjë lidhje me këtë votim. Ekspertët e lashtësisë egjiptiane gjithashtu, e kundërshtojnë këtë listë. Sipas tyre, piramidat e Egjiptit, janë simboli i inteligjencës së njerëzve të lashtë dhe qëndrojnë përmbi çdolloj votimi të mundshëm. Si rezultat, organizatorët kanë pranuar një kompromis. Piramidat, kanë marrë një status nderi që u shtohet shtatë mrekullive të reja të botës. Projekti i shtatë mrekullive të reja, është ideuar nga biznesmeni zviceran, Bernard Ueber. Ai ka deklaruar më herët se gjithnjë kishte dashur të ftonte njerëzit nëpër botë që të bëheshin faktorë dhe të zgjidhnin vetë ata mrekullitë më të mëdha të botës. "Në këtë mënyrë, kushdo mund të vendoste se cilat duhet të jenë mrekullitë e reja të botës duke mos e lënë këtë në duart e disa qeverive, disa individëve apo disa institucioneve", ka deklaruar ai. Dhe tani, pas këtij votimi masiv, duket se ky objektiv është arritur. "Ne ia dolëm ta nxjerrim kulturën jashtë muzeve, jashtë qosheve të errëta e të mykura akademike, dhe i bëmë njerëzit të flasin për këtë. Dhe kjo është arritja më e madhe e kësaj fushate", thanë organizatorët në përfundim.



Fituesit

Muri i madh i Kinës

Petra në Jordani

Statuja e Krishtit shpëtimtar në Brazil

Maçu Piçu në Peru

Piramida e Çikën Itza-s në Meksikë

Koloseumi në Romë

Taxh Mahali në Indi

Burimi: Gazeta Shqip
Shtuar më 09/07/2007, ora 15:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori