Lehtësimi i masave nga COVID 19 në vend, bizneset që hapen sot (FOTO LAJM)

Nga dita e sotme, lejet për pazar në kushtet e masave të marra prej Covid-19 nga 90 minuta, tani janë dy orë.

Por ashtu si edhe më parë, kjo leje duhet të merret në portalin e-Albania ose me mesazh në numrin 55155, dhe vetëm nga një pjesëtar i familjes.

Gjithashtu ditën e sotme, hapet edhe një listë tjetër e bizneseve, kryesisht dyqane që tregojnë me pakicë.

Janë 17 aktivitete të cilat rinisin punën këtë të hënë dhe do kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin, deri në orën 17.30 të pasdites, moment kur mbyllet çdo gjë.

Do të lejohen të ushtrojnë aktivitetet nga ora 05:00-17:30 bizneset si: dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara, shërbimi taxi, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit, listën e të cilave e gjeni duke klikuar KËTU.

Keto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno-sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve.

Po nga sot do të fillojë lehtësimet e posaçme në “zonat e gjelbra”, për qytetarët që shkojnë në punë apo lëvizin me automjete, por në çdo rast duke shmangur grumbullimet. Janë klasifikuar si zona të gjelbra ato qarqe apo bashki të cilat rezultojnë deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga Covid-19: Qarku Dibër; Qarku Gjirokastër.

Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;

Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd si dhe Bashkia Divjakë.

Në zonat e gjelbra lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person.

Në zonat e gjelbra parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapësirat publike. Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer.


Shtuar 27.04.2020 06:41