I dënuar për vjedhje dhe plagosje, si ra në pritën e policisë 34 vjeçari nga Tirana (VIDEO)

Policia e Tiranës ka arrestuar Edison Canajn i shpallur në kërkim, me precedent të theksuar kriminal, i dënuar për disa vepra penale.

34-vjeçari, i dyshuar edhe si autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë marrë informacione se një shtetas i kërkuar po lëviste në rrugën “Besim Alla”.

Pas disa orësh mbajtjeje nën kontroll të zonës, rreth orës 01:15 të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën “Besim Alla”, shtetasin e dyshuar i cili po tentonte të vidhte një motomjet me qëllim që të largohej.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Gjithashtu dyshohet se ky shtetas është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë dhe vijon puna për dokumentimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 8.05.2020 09:30