Superpilula qe do te na beje te jetojme 100 vjet
Albeu.com
Për studiuesit e Universitetit Anjshtanji në Nju Jork, pilula do të kurojë sëmundje si diabeti, Alzhaimeri dhe kardiopatitë. Për të kryer eksperimentin janë marrë kromozomet e hebrenjve Ashkenaziti, të falshëm për jetëgjatësinë e tyre
Është pilula e ëndrrave dhe dëshirave. Ajo që “premton” se do të jetojmë njëqind vjet dhe ç’është më kryesorja, peshën e moshës nuk do ta ndjejmë si një barrë të rëndë mbi supe, por si një mundësi; është pilula që të ofron një ekzistencë të gjatë, tashmë jo një, por dy jetë. Tanimë do të kemi më shumë mundësi të mendojmë për të ardhmen, pasi njëherë e një kohë kjo gjë nuk ishte e mundur dhe jetonte vetëm në kujtimet tona. Një pilulë dhe gjithçka do të ndryshojë rrjedhën e saj, madje do të arrijmë të jetojmë edhe një shekull më shumë, pavarësisht kolesterolit, diabetit, sëmundjes së Alzhaimerit dhe problemeve me zemrën. Gjithçka do të jetë më e gëzueshme, pa qenë nevoja t’i nënshtrohemi një mënyre jetese strikte, si për shembull të hamë në mënyrë të shëndetshme dhe të bëjmë shumë aktivitet sportiv. Shpresa për një të ardhme me tri shifra vjen nga larg. Sekreti është i fshehur në përbërjen gjenetike të hebrenjve Ashkenaziti, të famshëm për jetesën e tyre të gjatë mbi njëqind vjeç, duke qenë se nga gjaku i tyre studiuesit amerikanë kanë gjetur përgjigjen, ose më saktë mundësinë për një moshë të katërt të qetë dhe vitale.

Në fakt mund të jetë gati pas tri vitesh “pilula e rinisë së përjetshme”, siç e quajnë ata që dëshirojnë të luftojnë kundër kohës. “Me prodhimin e kësaj pilule po merren shumë laboratorë në Shtetet e Bashkuara”, thonë studiuesit e “Institute for Agign Research” në universitetin “Ajnshtain” në Nju Jork, që të drejtuar nga gjenetisti Nir Barzilai, e kanë çuar përpara studimin duke filluar nga një analizë e thjeshtë dhe gjenetika e qindra hebrenjve të ardhur nga Europa Lindore.

“Mundësitë për të jetuar deri në njëqind vjeç janë mesatarisht një në dhjetëmijë, por në grupin e 500 hebrenjve Ashkenaziti të ekzaminuar, mundësitë rriteshin 20 herë më shumë, pavarësisht se 30 për qind e tyre ishin obezë, ose mbipeshë, ndërsa 40 për qind pinin dy paketa duhan në ditë, për në shumë se 30 vjet”, shpjegon Barzilai. Nga studimet e shumta dihet që ka gjene të cilat shpëtojnë, pavarësisht mënyrës jo të mirë të jetesës.

Kështu, ekipi i Barzilai-t filloi të analizonte kampionë gjaku të përzgjedhur me kujdes nga hebrenjtë Ashkenaziti. “Nga dy milionë shënjues gjenetikë të ekzaminuar, gjetëm tre të cilët dukeshin se ishin më të pranishëm te njëqindvjeçarët tanë: dy shënjues që lidheshin me kolesterolin e mirë dhe një që lidhej me parandalimin e diabetit”, thekson studiuesi.

Nga këtu lindi ideja e studiuesve për të krijuar një masë e cila mat efektet mbrojtëse të këtyre gjeneve. Ajo masë duhet të përmbajë ato që amerikanët i quajnë tri gjenet e jetëgjatësisë: dy që rrisin prodhimin e të ashtuquajturit kolesterolit të mirë, duke ulur rrezikun e sëmundjeve kardiake e iktusit, dhe një që parandalon diabetin. Sipas studiuesve, kjo çështje e mrekullueshme do të premtonte eliminimin e patologjive si diabeti, sëmundjes së Alzhajmerit dhe atyre kardiovaskulare, duke garantuar një jetë të gjatë e të shëndetshme.

Shkencëtarët e shteteve të tjera janë skeptikë për zbulimin amerikan, ose më saktë për transformimin e gjeneve mbrojtëse në një përdorim të zakonshëm. Kështu, ai që nuk ka lindur nga prindër njëqindvjeçarë që garantojnë një perspektivë të mirë (pra që kanë trashëguar nga paraardhësit një jetë të gjatë), përveç një ushqimi të mirë e të shëndetshëm, raporteve të mira shoqërore dhe familjare, duhet të presë progresin e inxhinierisë gjenetike, e cila premton se do t’i fusë gjenet e jetëgjatësisë në ADN-në e çdo fëmije. Ndërkohë, ngushëllohuni me statistikat të cilat zerohen, rriten e kalojnë çdo lloj parashikimi. Në vitin 1927 u zbulua se meshkujt dhe femrat do të jetonin mesatarisht deri në moshën 64-vjeçare. Në vitin 2000 të dhënat ndryshuan dhe studiuesit thanë se jetëgjatësia e një personit do të arrinte deri në 80 vjeç.



Intervista, flet biologu i Universitetit të Sasarit

“Në pritje të ilaçeve çudibërëse, momentalisht mbështetemi te ushqimet dhe jeta sociale”

Luca Deiana është docenti i biokimisë molekulare në Universitetin e Sasarit dhe prej tetë vjetësh është shef i projektit “Akea”, që studion sekretet e njëqindvjeçarëve.

Si arrihet në moshën 100-vjeçare?

Është e gjitha çështje gjenesh. Këtë e kemi vënë re duke ekzaminuar 1600 persona njëqindvjeçarë të zonës sonë. Nga të dhënat është vërtetuar diçka tronditëse: që në vitet 1700 kishte persona të cilët jetonin deri në 100 vjeç.

I besoni pilulës së jetëgjatësisë?

Do të jetë e mundur në të ardhmen, për momentin duket e vështirë.

Ç’duhet të bëjmë ndërsa presim?

Gjenetika është vetëm një nga elementët fondamentalë për të kapërcyer një shekull.

Keni ndonjë këshillë tjetër?

Një element tjetër i rëndësishëm është ambienti. Të jetosh në një ambient natyror, të qetë, të ndihmon. Pastaj është edhe ushqimi. Unë këshilloj qumështin dhe nënproduktet e tij.

Pika e fundit?

Shoqërimi me njerëzit e tjerë. Familja dhe dashuria që ajo të dhuron, të ndihmojnë të jetosh më gjatë dhe më mirë. Sepse me pilulat mund të eliminohen diabeti e kolesteroli, por shëndeti është jo vetëm një kompleks elementesh fizikë. (shqip)
Shtuar më 05/02/2010, ora 21:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori