Sulmohet vajza e Marine Le Pen në Paris
Dy persona kanë sulmuar duke i thyer hundën, vajzën 19-vjeçare të Marine Le Pen në periferi të Parisit. Liderja e Frontit Nacional u shpreh e shokuar nga ngjarja, që sipas saj ka ndodhur si pasojë e zgjedhjeve politike të viteve të fundit.
Një nga dy vajzat e lideres së Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen është sulmuar teksa po dilte nga një lokal në periferi të Parisit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në një zonë shumë pranë komisariatit të policisë së Nanter.

19 vjeçarja, vajza më e vogël e Le Pen, shoqërohej nga kushëriri i saj. Mjekët konfirmuan se nga goditjet ajo ka thyer hundën. Agresorët janë dy meshkuj të moshës 32 dhe 47 vjeç, të cilët janë arrestuar nga policia.

Dhe kushëriri i vajzës është rrahur gjithashtu. Mediat franceze raportojnë se ende nuk dihen arsyet e sulmit dhe sipas burimeve pranë hetuesve, nuk ka ndonjë provë se sulmuesit njihnin identitetin e vajzës, apo statusin politik të nënës së saj.

Marine Le Pen u shpreh e shokuar nga ngjarja dhe shtoi se ky është një banalitet i trishtueshëm, dhe fati i përditshëm i francezëve. Sipas saj ajo që ndodhi është pasojë e zgjedhjeve politike të bëra nga francezët prej vitesh.


Shtuar më 06/10/2018, ora 21:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori