Sulmet ndaj tankerave fusin në sherr Anglinë dhe Iranin
rani ka kërkuar nga ambasadori britanik që të paraqitet në Ministrinë e Jashtme në Teheran dhe të shpjegojë qëndrimet e fundit lidhur me sulmet ndaj dy anijeve. Rob Macaire është paraqitur të shtunën në Ministrinë e Jashtme për të shpjeguar akuzat, njofton agjencia shtetërore IRNA. Në këtë bisedë është thënë se pala iraniane ka dënuar ashpër si të paqëndrueshme, papranueshme dhe anti-iraniane pozicionet e qeverisë britanike. Kërkesa për shpjegime nga ambasadori është një prej protestave më të ashpra diplomatike që ndërmerret ndaj një vendi.

Pas SHBA edhe Britania e Madhe të premten e ka fajësuar Iranin për sulme ndaj dy anijeve në Gjirin e Omanit. Anijet e sulmuara janë të Norvegjisë dhe Japonisë, shpjegoi ministri i Jashtëm britanik Jeremy Hunt. Presidenti amerikan Donald Trump ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Irani e ka kryer këtë sulm.” Por deri tani nuk ka dëshmi konkrete se këto sulme janë kryer nga Irani. Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që të mos jepen vlerësime të përshpejtuara, por të priten hetimet. Irani ka hedhur poshtë këto akuza.

Ekuipazhi i anijes norvegjeze “Front Altair” ka mbërritur ndërkohë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Një zëdhënës tha se të gjithë 23 anëtarët e ekuipazhit janë mirë dhe se janë trajtuar mirë nga autoritetet e Iranit.

Presionet dhe sinjalet

SHBA-ja po përpiqet që me mjete ekonomike të ushtrojë presion masiv ndaj Iranit. Trumpi po përpiqet që Irani në këtë mënyrë të pranojë një marrëveshje të kontrollit më të ashpër të resurseve të tij bërthamore. SHBA ka hequr dorë nga marrëveshja e arritur më parë që Irani të përfitojë ekonomikisht, në qoftë se heq dorë nga armët bërthamore.

Presidenti i Iranit Hasan Rohani deklaroi në konferencën e sigurisë në Taxhikistan se vendi i tij po i përmbahet marrëveshjes për armët atomike, pavarësisht vendimit amerikan për dalje nga kjo marrëveshje. Ai tha se pret sinjale pozitive nga partnerët e tjerë që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, ndër të cilët është edhe Gjermania. Në të kundërtën, Teherani do të heqë dorë nga disa obligime, të cilat parashikohen me këtë dokument, tha Rohani. Irani në këtë rast do të mund të vazhdonte programin e tij bërthamor. /bc/sti/wa/cgn afp, dpa/
Shtuar më 17/06/2019, ora 10:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori